2008-04-12 18:35:48

Udhëtimi i Benediktit XVI në SHBA: editorial i atë Lombardit.


(13.04.2008 RV)RealAudioMP3 Të martën e ardhshme Papa fillon udhëtimin apostolik në SHBA: në qendër të kësaj vizite, që zhvillohet nën shenjën e me moton “Krishti, shpresa jonë”, do të jetë takimi me kishën amerikane. Benedikti XVI do të takohet edhe me presidentin Bush, me përfaqësuesit e konfesioneve të tjera të krishtera e të feve të tjera. Natën e Pashkëve hebraike, do të vizitojë sinagogën e Nju Jorkut. Ndër ngjarjet më të pritura të shtegtimit, janë fjalimi në OKB dhe lutja në Ground Zero (Graund’Ziərou). Para se të niset, Papa u drejtoi një mesazh katolikëve dhe popullit të SHBA. Të dëgjojmë reflektimin e drejtorit të Sallës vatikanase të Shtypit dhe të Radios sonë, Atë Federiko Lombardi, kushtuar këtij mesazhi, titulluar: “Jezu Krishti dhe ‘rregulla e artë”:

“Mesazhi që Papa u drejtoi amerikanëve është i thjeshtë e i shkurtër, por na ndihmon shumë të hyjmë në zemër të fjalëve që do të thotë, në mënyrë më të zhvilluar e më të zgjëruar, gjatë pesë ditëve, ngarkuar me veprimtari, të shtegtimit të tij të ardhshëm.
“Jezu Krishti është shpresë për burrat dhe gratë e çdo gjuhe, të çdo race, të çdo kulture e të çdo kombi. Jo vetëm çdo njeri, por edhe çdo popull mund të gjejë tek Jezusi orientimin dhe kuptimin e duhur, për formimin e familjes së njerëzve e të popujve, që jetojnë si vëllezër, sipas planit të Hyjit, Atë i të gjithëve”.
Ky Jezus, me urdhërimin e dashurisë reciproke, ndriçon e përmbush “rregullën e artë”: “Duhet t’u bëni të tjerëve, pikërisht atë që dëshironi t’jua bëjnë juve!”, rregull e shkruar në ndërgjegjen e njeriut, pikë takimi e cila, pavarësisht nga ndryshimet, i krijon mbarë bashkësisë njerëzore mundësitë e mirëkuptimit, duke kapërcyer ndryshimet ndërmjet feve e edhe ndërmjet atyre që besojnë e që nuk besojnë.
Në Asamblenë e përfaqësuesve të mbarë popujve të botës, në zemër të një kombi me peshë të madhe mbi fatet e njerëzimit të sotëm e të nesërm, Benedikti XVI dëshiron t’u ofrojë të gjithëve shërbimin e tij si autoritet fetar e moral, duke ndriçuar, me qartësinë e tij të zakonshme, atë për të cilën kemi më shumë nevojë: themelin, pikëmbështetjen e fortë e të përbashkët, mbi të cilën mund të gjejmë, së bashku, përgjigje për sfidat historike që kemi përballë. Së bashku, sepse ashtu siç pati thënë Gjon Pali II pikërisht në Kombet e Bashkuara, kështu formojmë familjen e popujve.
E në se e gjejmë së bashku themelin, mund ta shikojmë ardhmërinë me shpresën e paqes, të drejtësisë e të lirisë. Themeli është drejtim. Nuk është pak kjo, që Kisha dëshiron t’u ofrojë vëllazërisht, të gjithëve. Udhë të mbarë Papës në Amerikë!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.