2008-04-12 18:36:24

Shenjtorët e Javës sipas Kalendarit kishtar


(13.04.2008 RV)RealAudioMP3 Sot Kisha katolike kremtoi të Dielën katërt të Pashkëve.
U përkujtuan edhe Shën Martini e Shën Ermenegjildi.

Nesër, e hënë, do të përkujtohen Shenjtorët Tiburci, Valeriani e Maksimi. Në liturgjinë e ditës do të lexohet Ungjilli sipas Gjonit. Na kujton se Jezusi është Bariu i Mirë, që kujdeset për delet e veta aq, sa jep edhe jetën për to, duke iu bindur plotësisht Atit të tij qiellor. Sa të çmuar jemi para syve të Zotit, për të cilin shpirti ynë ka etje, deri sa ta shikojmë dritën e Tij.

Të martën, shën Abondi misionar, na kujton se Ati dëshiron të na mbledhë si një grigjë e vetme rreth një bariu të vetëm: të Birit, Bariut të Mirë. Të mos pranosh Jezusin e veprat tij, do të thotë të ecësh pas deles së humbur. Nuk ka rrugë tjetër: do të zgjedhësh ose Bariun ose ujkun!

E vetmja rrugë për të parë Atin, është ta njohësh në Jezu Krishtin, të besosh në Të, që është drita e vërtetë e botës. Feja nuk është kalim nga drita e jetës në terrin e vdekjes. Përkundrazi, është kalim nga errësira në dritë. E ky është edhe reflektimi i së mërkurës, kur Kisha do të përkujtojë Shën Benedikt Jozef Labrè e Shën Bernardetën Subiru, ndërsa Benedikti XVI do të kremtojë 81-vjetorin e ditëlindjes. Kujtojmë se Papa ka lindur në Marktl am Inn në Gjermani, më 16 prill 1927.

E enjtja është dita e festës së Shën Simeonit, ipeshkëv i Seleuçisë e martir dhe Shën Robertit, abat i Sitosë Liturgjia e festës na kujton gjestin më të përvujtë të Jezusit: çastin kur u lanë këmbët dishepujve, duke na dhënë një nga mësimet më të çmuara të fesë, e jo me fjalë, por me shembull. Na kujton kështu se ç’ rrugë duhet të ndjekim.

Të premten do të përkujtohet Shën Galdini, ipeshkëv i Milanos e kardinal, që na kujton se në shtëpinë e Atit qiellor ka shumë vende; secili nga ne e ka një vend të lirë që na e ka përgatitur Jezusi. Në se duam të ulemi në të një ditë, duhet të ndjekim Udhën që është vetë Krishti.

E shtuna, dita e festës së Shën Leonit IX, është edhe dita kur Benedikti XVI, në shtegtim, do të kremtojë në SHBA trevjetorin e papnisë (19 prill 2005). Liturgjia na kujton se veprat e Jezusit kanë një qëllim të vetëm: ta njohim si Birin e Hyjit, në të cilin pasqyrohet Ati.







All the contents on this site are copyrighted ©.