2008-04-12 18:38:38

Historia e Katedrales të Shën Shtjefnit në Shkodër.


(13.04.2008 RV)Kisha Katedrale e Shkodrës, kushtuar Shën Shtjefnit, martirit të parë të krishterimit, që është edhe Pajtor i Kishës së lashtë të Kështjellës Rozafa, mbetjet e së cilës ekzistojnë ende, kremton sivjet 150-vjetorin e bekimit dhe të vendosjes së gurit të parë.
Historia e kësaj katedraleje fillon me kërkesën që besimtarët shkodranë i bën sulltanit në Stamboll për t’u dhënë lejën e fillimit të ndërtimeve. Ishte viti 1851. Punimet filluan pas 7 vjetësh, me 7 prill të vitit 1858, në praninë e sundimtarit të Shkodrës, Ali Pashës. Nisi kështu një histori e pasur me ngjarje sa të përshpirtshme, aq edhe dramatike. Më 1912-1913, Katedralja e Shkodrës, e rrethuar prej ushtrisë malazeze, u bombardua nga artileria. Predhat, shenjat e të cilave duken edhe sot, dëmtuan rëndë sidomos krahun e saj juglindor dhe shkaktuan djegien e këmbanares.
Pastaj Katedralja do t’i nështrohej një bombardimi tjetër, edhe më shkatrrimtar: atij të ‘artilerisë’ së diktaturës komuniste. Historia nis me arrestimin e famullitarit, dom Mikel Koliqit. Ishte data 3 shtator 1945. Detyra e famullitarit i mbeti dom Ernest Çobës, që e mbajti deri me 20 prill 1952. Pastaj erdhi tërmeti i dytë i madh, ai i vitit 1967, kur Katedralja u shndërrua në Pallat Sporti. Gjëja që i çuditi më shumë autoritetet komuniste, ishte se në shkallët, ndërtuar për dashamirët e sportit, shiheshin vazhdimisht njerëz që s’e kishin fare mendjen tek ndeshja. E në sa lëviznin në heshtje buzët, në vend që t’i drejtonin sytë nga fusha e lojës, i mbanin gjithnjë të drejtuar lart, nga qielli, ku Zoti përgatiste për Katedralen historike, vizitën e Papës Gjon Pali II. Ishte një fenomen shprehës, që pasuron historinë e Katedrales, e cila për besimtarët mbeti gjithnjë Katedrale.
Tempulli më i madh i krishterimit ndër shqiptarë, u rihap më 1991 nga Atë Aleks Baqli, françeskan. Meshën e parë e kryesoi dom Zef Simoni, në bashkëkremtim me meshtarë të tjerë, në praninë e Nënë Terezës, që vizitonte për herë të parë Shkodrën. Më 1993, pasi përfundoi restaurimi i Katedrales, u vunë përsëri në vendin e tyre shtatorja e Shën Mëhillit, vepër e çmuar në dru e Kol Idromenos si dhe dy kupat e mermerta të ujit të bekuar, dhuratë e familjes Pema. Këtu, më 25 prill 1993, gjatë vizitës së tij njëditore në Shqipëri, Papa Gjon Pali II kremtoi Meshën Shenjte, gjatë së cilës shuguroi katër ipeshkvinjtë e parë të pas diktaturës: imzot Frano Illinë, Imzot Rrok Mirditën, imzot Zef Simonin dhe imzot Robert Ashtën, duke filluar kështu edhe rindërtimin e hjerarkisë së martirizuar të Kishës në Shqipëri. E pranishme përsëri, Nëna jonë Terezë. Gjatë viteve 1930-2007, shërbyen si famullitarë: Dom Gaspër Thaçi, Dom Mikel Koliqi, Dom Zef Simoni, Monsinjor Loro Nodaj, Monsinjor Lucjan Avgustini dhe Dom Gjovalin Sukaj, aktualisht administrator-famullitar. 







All the contents on this site are copyrighted ©.