2008-04-12 17:08:21

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(12.04.2008 RV)12 prill: Dekreti i Gracianit për të drejtën e strehimit
Plaka Izoldë kotet, e ulur në një bankë të kishës, ku mbretëron një heshtje e thellë…Gojët e këqija flasin… Gojët e këqija thonë se plaka shkon në kishë, sepse s’ka ç’të bëjë tjetër. Thonë edhe se ka gjetur vendin ideal për të kaluar pasditën ‘duke u lutur”, në atë vend të qetë e të freskët. Por, papritmas gruaja e moçme zgurdullon sytë. Dëgjon ulurima, zhurma, karrike që rrëzohen me poterë. Dikush vrapon me sa frymë që ka nëpër kishë, duke shtrënguar në dorë një copë buke. E pas tij, britmat “Kapeni hajdutin!”. Duket qartë se nuk e ka lypur, por e ka marrë vetë nga furra, pa pyetur fare….
Ndjekësit bëhen gjashtë-shtatë vetë. Por nuk e kanë shkathtësinë e hajdutit të ri; ngatërrohen nëpër shtylla e shkapeten njëri me tjetrin, gjë që e ngadalëson edhe më shumë ndjekjen. “E kapën… jo… iku, po vrapon… do ta kapin? S’mund ta kapin…” - flet me vete Izolda, ndërsa kureshtja e saj arrin kulmin.
Do ta kapin, sigurisht, sepse janë më shumë. E vërtetë, më në fund e kapin ndërmjet një qiriu e një shtatoreje së Zojës së Bekuar.
“Tani ta ndreq unë qejfin ty, kopuk kopuku, maskara i keq!” - çirret ai që u prin ndjekësve, duke rrokur një alamet dajaku…
Po shi në atë çast ia beh pa frymë famullitari, që menjëherë hyn ndërmjet hajdutit e ndjekësve. Dom Gjoni i ka gjithnjë gati ca shprehje jo fort të hijshme, të mësuara kur ishte ushtar. E tani i përdor pa kursim kundër ndjekësve. Këta shqyejnë sytë, krejtësisht të çuditur. S’e kuptojnë pse po i shan kaq rëndë. Izolda çuditet edhe më shumë. Famullitari nuk shan keqbërësin, po ndjekësit e tij!
Me sytë e zgurdulluar nga kjo e papritur, krejtësisht e pabesueshme, prijësi i ndjekësve murmuron ca fjalë të pakuptuehsme për t’u shfajsuar, po famullitari e ndërpret menjëherë.
“I poshtër! Ku e çon besën? Të drejtën e strehimit?”.
Cilën të drejtë strehimi? Të gjithë hapin sytë. Çudi pas çudie. Duke i parë kështu, meshtari qetësohet paksa e nis t’u shpjegojë se kishat janë vende të shenjta, strehë të padhunueshme, në të cilat nuk mund të ndiqet askush. Kush shkel në Kishë, është në ndore të Krishtit. E kështu ka qenë gjithnjë. Pak kohë më parë, një murg me emrin Gracian, i ka mbledhur të gjitha shkrimet e Kishës, që flasin për këtë argument e ka krijuar atë që tashmë njihet si ‘Dekreti i Gracianit’, i cili vërteton paprekshmërinë e vendeve të kultit. Sapo një njeri, fajtor a i pafajshëm, kapërcen pragun e një Kishe, është në besë të Kishës e askush nuk ka të drejtë t’ia prekë as edhe një fije floku, derisa të dalë që aty. E meshtarët kujdesen të dalë vetëm pasi shpirtërat të jenë qetësuar sadopak. Nuk e bëjnë këtë për të mbrojtur kriminelët, por për të shmangur rrezikun e hakmarrjeve ose të dënimeve të nxituara e të padrejta.
Ndjekësit e kuptojnë e largohen, ndërsa plaka Izoldë rikthehet ‘për të vijuar lutjen’ në bankën e vet, ku nis rishtas të kotet, në kishën ku mbretëron heshtja….







All the contents on this site are copyrighted ©.