365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.
(13.04.2008 RV)13 prill: Toma,
që zgjodhi miqësinë me Jezusin Ishin miqtë më të mëdhenj, që mund të gjindeshin
në botë. Enriku e Toma nuk ndaheshin kurrë. Enriku kishte temperament kolerik, merrte
flakë menjëherë, ndërsa Toma, djalosh shumë tërheqës, përveçse i zgjuar e i ditur,
ishte edhe tepër i matur. Plotësonin njëri-tjetrin në mënyrë të përkryer. Enriku ishte
Enriku II, mbreti i Anglisë. Duke emëruar Tomën kancelar, e bëri njeriun më të rëndësishëm
të mbretërisë. Pas mbretit, natyrisht. E kështu dy miqtë qeverisnin së bashku. Enriku
ishte autoritar e i pëlqente shumë të sundote. Tani në Angli, vetëm një institucion
i shpëtonte kontrollit të tij; Kisha, që varej drejtpërdrejtë nga papa. Mendoi
e shmendoi sesi ta shkëpuste Kishën nga Roma e më në fund i lindi ideja ta emëronte
Tomën kryeipeshkëv të Kanterbërit, posti më i lartë në Kishën e Anglisë. Toma nuk
i kishte thënë kurrë jo…. Miku i tij i ngushtë, menjëherë pasi të bëhej ipeshkëv,
do të nënshkruante një ligj, përmes të të cilit do ta shpallte Enrikun kryetar të
Kishës së Anglisë. Plan i përsosur! Por Enriku harronte një hollësi: Toma ishte
tepër besnik ndaj Hyjit e Kishës së tij. E këtë e tregoi me fakte. Nuk pranoi të
bëhej vegël në duart e mbretit. I shpjegoi Enrikut se nuk mund t’i kundërvihej Zotit,
në të cilin besonte ngultas, prandaj nuk e kishte aspak në mend t’i nënshtrohej mbretit
e t’ia plotësonte dëshirën për ta vënë nën thembër edhe Kishën. Kisha duhet të mbetej
e lirë. Miqësia ndërmjet dy njerëzve, që i lidhnin mijëra kujtime të përbashkëta,
mori fund menjëherë. Toma u internua si tradhtar i mbretërisë. Si kaloi pesë vjet
në Francë, u kthye rishtas në Kantërbëri me leje zyrtare nga vetë mbreti. Kështu,
në vitin 1170, mundi të kryesonte kremtimet e Krishtlindjes në katedralen e tij aq
të dashur. Banorët e Kantërbërit rendën me shumicë në Meshë, të lumtur që do ta shikonin
përsëri ipeshkvin e tyre. Në sa besimtarët e donin dhe e vlerësonin jashtëzakonisht
Tomën, mbreti e konsideronte të padenjë për këtë detyrë të lartë. Disa ditë më
pas, katër ushtarë, të dërguar nga Enriku, hynë me forcë në banesën e Tomës. E urdhëruan,
duke i bërtitur sa munden, që t’i nënshtrohej mbretit. Po ipeshkvi nuk u tremb fare
nga ushtarët, të cilët u detyruan të ikin të tërbuar. Pastaj këmbana ra për t’u kujtuar
besimtarëve se ishte ora e uratëve të mbrëmjes. Toma u nis për në katedrale. Pa marrë
parasysh rrezikun që e kërcënonte, dha urdhër që porta të mbetej e hapur, sepse Kisha
është shtëpia e të gjithëve e askush nuk mund të mbyllet brenda. Lutja sapo kishte
filluar, kur katër ushtarët u duken sërisht, iu sulën ipeshkvit dhe e mbytën. Ditën
tjetër të gjithë banorët e Kanterbërit u mblodhën për t’u lutur pranë trupit të Tomës,
që për ta tashmë ishte shenjt!