2008-04-11 18:18:48

Në prag të shtegtimit të Papës në SHBA: flet kardinali Staford, i Universitetit Papnor të Shën Kryqit.


(11.04.2008 RV)RealAudioMP3 Të martën e ardhshme fillon shtegtimi apostolik i Papës në SHBA, që do të përfundojë të dielën, më 20 prill, në Nju Jork. Pikërisht për këtë shtegtim foli, gjatë një takimi organizuar sot në Romë nga Shoqata e Shërbimit Informativ në fushën e veprimtarive kishtare (ISCOM), kardinali amerikan, Xhejms Frensis Staford, Kryependestar i gjykatës së Pendestarisë Apostolike.
Kisha, që Benedikti XVI do të gjejë në SHBA, në dhjetvjeçarin e fundit ka ndryshuar shumë nga ajo që pati gjetur Gjon Pali II. Elementi më i ri – shpjegon kardinali Staford, është pluralizmi kulturor, që përcaktohet kryesisht nga shtimi i numrit të besimtarëve të ardhur nga Jugu:
“Benedikti XVI gjen një Kishë më pluraliste në këndvështrimin kulturor, në krahasim me atë që pati gjetur Gjon Pali II. Në jug të SHBA është rritur numri i vietnamezëve dhe i hispanikëve. Gjë e pashembullt në këtë vend protestant”.
Siç theksoi kardinali Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit, në fjalimin drejtuar meshtarëve, Papa do të flasë edhe për shkandullin e shpërdorimeve seksuale, që i hapi plagë të rënda Kishës katolike amerikane e cila sot – pohon kardinali Staford, po kalon një periudhë të thellë reformimi:
Mendoj se drejtuesit kishtarë pas kësaj krize, e edhe gjatë saj, kanë fituar energji të reja për ta reformuar Kishën”.
Pastaj, gjatë vizitës në Pallatin e Qelqit - shpjegon Kryependestari Apostolik - Papa do të shprehë edhe shqetësimet për situatën në Irak::
“Ati i Shenjtë, duke mbajtur fjalim në Kombet e Bashkuara, dëshiron të vërë mirë në dukje rolin e Kishës katolike në botë. Papa dëshiron t’i nxisë njerëzit të reflektojnë për faktin se në Irak po vritet popullsia e pafajshme. E një shqetësim i madh është edhe dhuna kundër Kishës kaldeje. Gjithë kjo vë në rrezik vetë ardhmërinë e Kishës në Irak”.
Së fundi Hirësia e Tij kujtoi, ndërmjet ngjarjeve më të pritura, përveç vizitës në Ground Zero, edhe pjesëmarrjen e Benediktit XVI në kremtimet me rastin e 200- vjetorit të dioqezës së Bostonit, Luisvilit, Nju Jorkut e Filadelfies si dhe të Selisë metropolitane të Baltimores.







All the contents on this site are copyrighted ©.