2008-04-10 17:54:53

Kina deklaron se ka zbuluar një komplot kundër atletëve olimpikë


(10.04.2008 RV)Flaka Olimpike është në udhëtim për në Buenos Ajres, kryeqytet i Argjentinës, ku flakëmbajtësi i parë do të jetë futbollisti i mirënjohur Diego Armando Maradona. Presidenti i Komitetit Olimpik ndërkombëtar deklaroi se rruga e stafetës nuk do të shkurtohet, por pranoi edhe se protestat përgjatë saj mund t’i çojnë drejt krizës Lojrat Olimpike. Kësaj frike i shtohet sot edhe lajmi se myslimanët kinezë, apo ujgurët, kanë pasur ndërmend të rrëmbejnë atletë, gazetarë e funksionarë sportivë, gjatë Lojrave të gushtit në Kinë. Komploti është zbuluar nga policia kineze.
Ndërkaq, liderët botërorë vazhdojnë të prononcohen për pjesëmarrjen e tyre në Lojrat Olimpike. Presidenti amerikan Xhorxh Bush ka njoftuar se do të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes, ndërsa kryeministri britanik Gordon Braun, jo. Mbështet Lojrat Olimpike Dalai Lama, lideri shpirtëror i tibetianëve, rreth të cilit Kina vazhdon të shtrëngojë darën e akuzave. Nga ana tjetër, Parlamenti Evropian ka miratuar sot një rezolutë, me të cilën i kërkon Bashkimit Evropian të vlerësojë mundësinë e bojkotimit të ceremonisë së hapjes së Lojrave Olimpike në Pekin.







All the contents on this site are copyrighted ©.