2008-04-10 17:51:09

10 vjet më parë, marrëveshja historike e së Premtes së Madhe, që solli paqen në Irlandë


(10.04.2008 RV)RealAudioMP3 Si sot, dhjetë vjet më parë, më 10 prill 1998, me Marrëveshjen historike të së Premtes së Madhe, nënshkruar në Kështjellën e Stormontit, përfundoi lufta civile 30-vjeçare, që pati shkaktuar 3 mijë të vdekur në Irlandën e Veriut. Përfaqësues të unionistëve dhe të republikanëve formuan atëherë një qeveri bashkimi kombëtar, e cila e çoi vendin drejt paqes dhe drejt një zhvillimi ekonomik të paparë. Si ka ndryshuar situata në rajon, gjatë këtyre 10 vjetëve? Pyetëm Paolo Romanin, editorialist i revistës katolike “Famiglia Cristiana”:
Mund të thuhet se klima ka ndryshuar me të vërtetë. Marrëveshja funksionon, megjithëse rruga drejt paqes ka qenë e vështirë dhe e gjatë. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, pati një atentat të përgjakshëm më 15 gusht 1998, por pas tij, praktikisht nuk ka pasur më atentate. IRA pranoi të dorëzonte armët dhe Jan Peizli, lider i legalistëve, pranoi të kryesojë një qeveri të përbashkët, në të cilën zv.kryeministër s’ishte tjetër veçse Martin MekGines, ish-militant i IRA-s. Sigurisht që në Belfast dhe në Londonderri shihen akoma barrierat e famshme metalike, të quajtura në mënyrë eufemike “mure të paqes”, të cilat ishin ndërtuar për të ndarë lagjet ndërmjet tyre. Por, prej vitesh, barrierat janë hapur, megjithëse dy bashkësitë akoma nuk janë integruar plotësisht. Të paktën, sot mund të qarkullojnë lirisht. Britania e Madhe i ka tërhequr gati krejt ushtarët e saj nga Irlanda e Veriut. Paqja favorizohet edhe nga zhvillimi ekonomik, i cili është bërë i mundur nga lidhjet më të ngushta ndërmjet Irlandës së Veriut dhe asaj të Jugut. Tashmë, vendi është një nga më të pasurit e Evropës. Arrijnë investime nga SHBA-të, por edhe nga vende si India e Kina. Pra, kemi një klimë shumë të ndryshme nga më parë.
A mund të themi se paqja në Ulster, në ndryshim nga zgjidhja e krizave në zona të tjera të botës, është fryt i impenjimit të qytetarëve të rajonit dhe pak i ndërhyrjes së bashkësisë ndërkombëtare?
Oh, po, pa dyshim që kanë qenë vetë qytetarët e Ulsterit, ata që kanë zgjedhur paqen. Për hir të së vërtetës, duhet thënë se SHBA-të, ku ekziston një bashkësi e madhe irlandeze, kanë ushtruar presion si mbi qeverinë britanike, ashtu edhe mbi atë të Republikës Irlandeze, prandaj merita e paqes u takon pa dyshim qytetarëve të vendit, por nuk ka munguar presioni ndërkombëtar!







All the contents on this site are copyrighted ©.