2008-04-09 17:36:23

Shtrenjtimi i jetesës problem për vendet e varfëra: alarm i Bankës Botërore


(09.04.2008 RV)RealAudioMP3 Pas botimit të statistikave shqiptare, që tregojnë se inflacioni është rritur në 4,6%, për shkak të rritjes së çmimeve, kryesisht të energjisë dhe të produkteve ushqimore, po ju ftojmë të reflektojmë sëbashku me Programin Ushqimor Botëror, mbi atë ç’po ndodh në këtë çast në krejt globin. Çmimet e ushqimeve do të vazhdojnë të rriten edhe për dy vjet, duke u krijuar probleme serioze ekonomive në zhvillim. Alarmi është dhënë nga Robert Xellik, president i Bankës Botërore, i cili denoncon edhe rrezikun për rritjen e varfërisë në disa vende. Tensioni shoqëror ka kaluar në dhunë në vende si Egjipti, Tajlanda, Filipinet dhe Haiti. Pikërisht në ishullin karaibik, 5 vetë kanë humbur jetën në protestat kundër shtrenjtimit të jetesës. Por cilat janë motivet që shkaktojnë ngritjen e çmimit të produkteve parësore për jetën e përditshme? Të dëgjojmë Viki De Markin, zëdhënëse e Programit Ushqimor Botëror për Italinë:
Sot, sigurisht, nuk jemi më në epokën e mbiprodhimit bujqësor. Janë rritur çmimet, për shkak të faktorit “naftë”, të rritjes së konsumit në vendet në zhvillim, si India e Kina, duke mos nënvleftësuar edhe elementin klimaterik, që ndikon negativisht. Për shembull, 90% e bujqësisë afrikane varet nga shiu, nga cikli natyror i klimës.
Banka Botërore garanton se 185 vendet që bëjnë pjesë në të do të punojnë për t’i bërë ballë krizës. Si mund të ndërhyhet konkretisht?
Përsa na përket ne, një nga aksionet që po ndërmarrim është blerja e ushqimeve për konsum, pranë zonave të krizës, pra blerja në tregjet lokale. Kjo redukton çmimet e transportit dhe favorizon ekonomitë bujqësore të vendit. Elementi tjetër ka të bëjë me përbërjen e ndihmës ushqimore që japim. Për shembull, po zëvendësojmë misrin e verdhë me atë të bardhë, që ka një çmim më të ulët e që gjendet shpesh pranë zonave në krizë. Pastaj, kemi projekte me të cilat na japin ushqim në këmbim të punës, apo projekte për mbjelljen e pemëve aty ku janë shkulur, projekte infrastrukturash të vogla si diga, puse, pra një ndihmë për ekonominë lokale, për prodhimin bujqësor.
Kjo gjendje a nuk do të ketë ndikim edhe në Perëndim?
Po, sigurisht. Që sot shohim se edhe Perëndimi e ka problem rritjen e çmimeve, sepse shumë familje – me të cilat mbushet plot kronika e gazetave tona – e kanë të vështirë të arrijnë deri në fund të muajit. Vetëm se, natyrisht, tek ne efekti është më pak i dukshëm, pasi kuota e rrogës për ushqim është më e ulët se përqindja, që u takon rrogave të vendeve në zhvillim. E jo vetëm kaq. Ndërsa më parë në vendet në zhvillim varfëria kishte të bënte sidomos me popullsinë e fshatit, tani po godet edhe qytetet e qendrat urbane. Edhe ky është një ndryshim i rëndësishëm.
Tensioni shoqëror në Tajlandë, Haiti, Egjipt, Filipine shkaktoi revolta të vërteta popullore. Dikush flet për “luftën e urisë”…
Po, janë shumë vendet, ku janë bërë protesta, demonstrata. Shumë qeveri po mundohen të zgjidhin problemet, duke zgjeruar sistemin e asistencës për popullsinë, duke bllokuar importin dhe/ose eksportin. Pra, po merren masa, pasi ushqimi është gjëja më e rëndësishme. Ushqimi mund të jetë baza e shumë e shumë protestave.







All the contents on this site are copyrighted ©.