2008-04-09 18:44:30

Në audiencën e përgjithshme Papa flet për Shën Benediktin dhe pohon: në se nuk i njeh rrënjët e veta të krishtera, Evropa nuk mund ta zbulojë identitetin e saj.


(09.04.2008 RV) RealAudioMP3 Njeri i cili, me ‘Rregullën’ e tij të famshme, solli një tharm shpirtëror, që i dha Evropës së kohës, një unitet të ri shpirtëror e kulturor, të bazuar mbi fenë e krishterë. Kështu e përshkroi Papa Shën Benediktin nga Norçia, të cilit i kushtoi katekizmin e audiencës së sotme të përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. Edhe sot, si në kohët e Shën Benediktit – pohoi Ati i Shenjtë – Evropa është në kërkim të identitetit. E ky identitet nuk mund të mos ngrihet mbi ato rrënjë të lashta të krishtera, që monakizmi benediktin i shtriu në të gjithë kontinentin.
Evropa e shekullit V, Evropa e shekullit XX. E para, si u shemb sistemi unifikues, imponuar nga perandoria romake, kërkon të gjejë, me dhimbje, një identitet të ri. E dyta, e shkretuar nga dy luftëra botërore dhe nga shembja e ideologjive totalitare, përpiqet prej vitesh, jo pa dhimbje, të krijojë fizionominë e vet të përbashkët. Këto dy fytyra të Evropës, historikisht larg njëra-tjetrës, kanë të përbashkët një rrënjë, rrënjën e krishterë të cilën, 1500 vjet më parë, e ‘eksportoi’ nga kodra e Montekasinos, në të gjithë Kontinentin, një vetmitar 50 vjeçar, që u bë murg, pikërisht sepse kishte vendosur t’i jepte Evropës rrënjët e përbashkëta. E këto rrënjë të lashta – pohoi Benedikti XVI – duke vijuar ciklin e katekizmit kushtuar figurave të mëdha të Kishës së shekujve të parë - janë njëkohësisht rrënjë moderne për Evropën tonë e cila, pa limfën jetike të Hyjit, rrezikohet të bjerë në utopinë e vetëringjalljes:
“Sot Evropa, që sapo ka dalë nga një shekull thellësisht i plagosur nga dy luftëra botërore e pas shembjes së ideologjive të mëdha, që u duk qartë se s’ishin tjetër, veçse utopi tragjike, është në kërkim të identitetit të vet. Për të krijuar një bashkim të ri e të qëndrueshëm, sigurisht kanë shumë rëndësi mjetet politike, ekonomike e juridike, por nuk duhet harruar edhe përtëritja etike e shpirtërore, që buron nga rrënjët e krishtera të Kontinentit, sepse pa këto rrënjë Evropa nuk mund të ndërtohet”.
E pikërisht për këto rrënjë, që u përhapën falë punës së madhe të Shën Benediktit, shpallur Pajtor i Evropës nga Papa Pali VI në vitin 1964 e edhe Pajtor i papnisë së Benediktit XVI – siç e kujtoi Papa Racinger në fillim të katekizmit të sotëm – Ati i Shenjtë foli gjatë, duke u ndalur tek jeta dhe misioni i themeluesit të Benediktinëve:
Vepra e Shenjtit e, në mënyrë të posaçme, rregulla e tij, janë mbartëse të një tharmi të vërtetë shpirtëror i cili, në rrjedhë shekujsh, ia ndryshoi fytyrën Evropës shumë përtej kufijve të Atdheut të tij, duke nxitur, pas shembjes së unitetit politik, krijuar nga perandoria romake, një unitet të ri shpirtëror e kulturor, atë të fesë së krishterë, që u pranua nga popujt e kontinentit. E kështu lindi ai realitet, që ne e quajmë ‘Evropë”.
Para se të ushtronte, me manastiret e tij, këtë ndikim themelor mbi zhvillimin e qytetërimit e të kulturës evropiane, Benedikti ishte kryesisht njeri i lidhur me lutjen. Kur i lindi ideja për themelimin e manastirit të Montekasinos, shenjti i ardhshëm u tërhoq në një shpellë të Subiakos. Aty e kuptoi se gjëja e parë që duhet të bënte, ishte sundimi i vetvetes. Në kundërshtim me vetërealizimin e shpejtë, pa mundim, egocentrik, që sot gjithnjë më shpesh shikohet si virtyt i lartë – theksoi me frymë kritike Papa – Shën Benedikti nisi të kërkonte përvujtërisht takimin me Hyjin:
“Pa lutje, nuk ka takim me Zotin. Por përshpirtëria e Shën Benediktit nuk ishte jashtë realitetit. Në kohën e tij të shqetë e të trazuar, ai jetonte i ndjekur nga syri i Hyjit, pa i harruar kurrë detyrat e jetës së përditshme e njeriun, me nevojat e tij konkrete. Duke parë Zotin, kuptoi realitetin e njeriut dhe misionin e tij”.
E pikërisht nevojat konkrete të njeriut përmblidhen në rregullën e famshme, që bazohet mbi dy fjalë: “Lutu e puno!”, të shkruara pesëmbëdhejtë shekuj më parë, por që – vërejti Papa Racinger – mbeten çuditërisht moderne edhe për sot:
Benedikti e quan Rregullën ‘të vogël, të hartuar vetëm për fillimin’; në të vërtetë kjo rregull jep këshilla të urta jo vetëm për murgjërit, por edhe për të gjitha ata që kërkojnë një prijës në shtegtimin e tyre drejt Hyjit. Për masën, humanizmin e dallimin ndërmjet asaj që ka rëndësi të dorës së parë e asaj që është dytësore në jetën shpirtërore, rregulla e ruajti forcën deri më sot”.
Në përfundim të audiencës, Papës iu dorëzua një vëllim i teologjisë themelore, fryt i një pune pesëvjeçare ekumenike nga ana e një grupi të përbërë nga gjashtë teologë katolikë të Universitetit Papnor Lateranens dhe luteranë të Universitetit të Tubingen në Gjermani. Vëllimi, që titullohet “Themeli dhe përmasa objektive e fesë. Sipas doktrinës katolike romake dhe evangjelike luterane”, u paraqit më 7 prillin e kaluar në Tubingen, e sot, në Romë. Dhuratë simbolike për Papën Racinger, nismëtar i dialogut teologjik që kur ishte prefekt i Kongregatës për Doktrinën e Fesë.








All the contents on this site are copyrighted ©.