2008-04-09 19:03:53

Manifestime pro-Tibet në San Francisko, gjatë kalimit të Flakës Olimpike


(09.04.2008 RV)Mijëra njerëz protestojnë gjatë kalimit të flakës olimpike në qytetin amerikan të San Franciskos, pas manifestimit të djeshëm të solidaritetit me Tibetin, që u zhvillua pa ndonjë incident. Qyteti është i blinduar nga forcat e policisë, pasi në të jeton bashkësia më e madhe kineze e SHBA-ve. Mbrëmë, në manifestimin, ku ishin të pranishëm rreth 2 mijë vetë, kryeipeshkvi anglikan Desmond Tutu, Çmim Nobel për paqen, u kërkoi krerëve të shteteve e të qeverive të bojkotojnë Lojrat Olimpike të Pekinit. Ndërkaq, në kryeqytetin kinez janë mbledhur 250 komitetet olimpike të vendeve të ndryshme, të cilat, në dokumentin e tyre përfundimtar, u shprehën kundër bojkotimit, por hoqën fjalën Tibet nga teksti. Kështu, në vend që t’i kërkohet Kinës, që “nëpërmjet dialogut e mirëkuptimit, të gjejë zgjidhjen e drejtë dhe të arësyeshme të konfliktit të brendshëm në rajonin e Tibetit”, urohet në përgjithësi që të gjendet “një zgjidhje për konfliktin e brendshëm për të mirën e Lojrave dhe të atletëve”. Nga ana tjetër, u mor vesh se policia kineze ka arrestuar deri tani 953 vetë dhe se 403 prej tyre janë akoma në burg.







All the contents on this site are copyrighted ©.