2008-04-09 18:46:49

Imzot Marketo: të respektohen të drejtat e emigrantëve të rregullt.


(09.04.2008 RV)RealAudioMP3 Puna baritore me emigrantët, skllavëritë e reja, turizmi dhe shtegtimet: këto ishin temat, që preku dje pasdite imzot Agostino Marketo, sekretar i Këshillit Papnor për emigrantët dhe endacakët. Prelati foli në asamblenë e 95-të plenare të Konferencës ipeshkvnore të Argjentinës, që vijon në Buenos Ajres deri më 12 prill.
Sot, në mbarë botën, numërohen më se 200 milionë emigrantë: burra, gra, fëmijë e pleq. Shumica largohen nga vatrat e tyre në kërkim të punës. 9% e tyre janë refugjatë, ndërsa pjesa më e madhe zgjedh Evropën si vend për fillimin e një jete të re. U nis nga këto të dhëna imzot Marketo, i cili më pas vërejti se sot emigracioni duhet shikuar në një kontekst më të gjërë, duke pasur mirë parasysh edhe rrethanat e globalizimit, çështjet demografike, posaçërisht në vendet e industrializuara, thellimin e hendekut të pabarazisë ndërmjet veriut e jugut të botës, shfrytëzimin dhee zvetënimin e njeriut, përhapjen e konflikteve e të luftërave civile: të gjitha burim i sigurtë për shtimin e emigrantëve e të refugjatëve. Por imzot Marketo nuk reflektoi vetëm mbi anët negative të emigracionit, duke pasur parasysh se ky fenomen ka edhe anë tepër pozitive. Ndër këto mund të kujtojmë krijimin e mundësive të jashtëzakonshme për takimin e njerëzve, për njohjen e vendeve, të traditave e të popujve, gjë që fuqizon unitetin e familjes njerëzore. Prej këndej, duke cituar dokumentin ‘Egra migrantes caritas Christi’, botuar nga Këshilli Papnor për baritorinë me emigrantët më 3 maj 2004 - prelati theksoi se përvoja e emigracionit duhet shfrytëzuar si një rast tepër i përshtatshëm për ungjillëzim e mision, duke e parë fenomenin në këndvështrim ekumenik e ndërfetar, sepse ndërmjet emigrantëve të rinj ka shumë të krishterë të konfesioneve të ndryshme, por edhe përfaqësues të feve të tjera, sidomos të fesë islame.
Më pas prelati vuri theksin mbi problemin themelor: emigrantët nuk mund të konsiderohen si mall tregu ose si krahë të lirë pune. Të gjithë, edhe ata që janë të parregullt, gëzojnë të drejta themelore të patjetërsueshme, të cilat duhen respektuar në çdo situatë. Prandaj imzot Marketo nënvizoi se është e nevojshme të transmetohet kultura e mikpritjes, që ua njeh të gjithëve të drejtat e nevojat e tyre shpirtërore. Imzot Marketo i ftoi të krishterët t’i respektojnë traditat e kulturat e emigrantëve, të cilët nga ana e tyre duhet të mbajnë të njëjtin qëndrim ndaj banorëve të vendit që i pranon.
Më pas foli edhe për skllavëritë e reja, sidomos për shfrytëzimin seksual, tregti e turpshme, që flak sot në rrugë 6 milion gra e fëmijë. Një plagë tjetër e emigracionit, që u theksua nga sekretari i Këshillit Papnor për emigrantët dhe endacakët, është edhe shfrytëzimi i krahut të punës në sferën e bujqësisë, ku sot punojnë më se 240 milionë emigrantë.Në përfundim imzot Marketo analizoi edhe punën baritore në fushën e turizmit, duke përfshirë edhe turizmin fetar, i cili sot është një nga sektorët më të rëndësishëm të lëvizjes së njerëzve. Statistikat flasin për lëvizjen e 900 milionë turistëve në vit, të cilëve u shërbejnë 200 milionë punonjës të turizmit. Një situatë e tillë – sipas prelatit - duhet shfrytëzuar si mjet i dialogut, i paqes, i ndihmës për zhvillim, i njohjes ndërmjet popujve dhe i zhvillimit shpirtëror të njerëzve”.







All the contents on this site are copyrighted ©.