2008-04-09 18:47:06

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(09.04.2008 RV)RealAudioMP3 9 prill: Petronila e Shemijesë, gruaja që drejtoi një abaci burrash
Në kantierin e Kishës është ora e pushimit. Në maje të skelave dy murgjër i kalojnë njëri-tjetrit një pagure me ujë, ndërsa sodisin peizazhin. Sa ka ndryshuar kjo luginë gjatë njëzet vjetëve, që kur lindi abacia e Fontevrod.
"A të kujtohet si ishte? Kur erdhëm këtu, rreth vitit 1100, gjithë vendi, duke nisur nga Luara, ishte i mbuluar nga shkurret”.
“Si s’m’u kujtoka! Nis të më dhembë kurrizi vetëm kur mendoj sa kemi punuar për ta pastruar vendin nga pyjet e mallkuara”.
“E tani, shiko sa ndërtesa kemi ngritur, ndërtesa që strehojnë burra e gra në shërbim të Hyjit, në mes të një lugine, që u kthye në tokë pjellore, falë punës sonë, o Pjetër vëllau”.
“Po, është mrekulli!” – përgjigjet Pjetri, i kënaqur nga pamja që ka parasysh. - “Më pëlqen të jetoj këtu, në heshtje, duke u lutur e duke punuar … që të mos më ndryshken muskujt” – shton me shaka.
“Një gjë tjetër e bukur, është jeta në dy bashkësi, mashkullore e femërore. Edhe pse motrat tona rregulltare jetojnë në shtëpi të tjera, lutemi së bashku. Lutja e Fontevrod bëhet, kështu, simbolikisht, lutje e mbarë njerëzimit, e burrave dhe e grave, e kështu lartohet më shpejt drejt qiellit. Eshtë diçka e pashembullt. A di se jemi i vetmi manastir i kësaj natyre në Francë?”.
“Ke të drejtë. Është vërtetë një mrekulli të jetosh këtu. Duhet falënderuar abati ynë, Robert Abrisel. Vetëm për një gjë më vjen keq, se ai nuk është më i ri”.
“A e di se po përgatitet të shtegtojë nëpër Francë, për t’u folur mbarë francezëve për Zotin? Ashtu si bëri kur ishte i ri, para se të vendosej në Fontevrod, kur nuk banonte në kuvend?
“Ç’thua, ore? Mos është çmendur? Në moshën e tij… Pastaj, kush do t’ia zerë vendin?”.
“Ndoshta-ndoshta vëlla Gulielmi, që e ndihmon aq shumë. Ose vëllau Tanghi, që ua gjen ilaçin të gjitha problemeve. Apo thua të jetë Gjoni, që është aq i ditur? Sigurisht ndërmjet nesh nuk mungojnë burrat, që mund ta udhëheqin manastirin”.Pak ditë më vonë, lajmi arrin si rrufe në qiell të kthjellët: Roberti ka caktuar si udhëheqës të manastirit … një grua… motër Petronilën Shemijè. Aso kohe nuk mund as të mendohej që një grua të drejtonte një manastir mashkullor. Për të shmangur protestat, Roberti ka marrë më parë miratimin nga vetë papa. E shumë shpejt të gjithë e shikojnë me sytë e tyre se Roberti nuk është gabuar. Aftësia drejtuese e Petronilës, është po aq e madhe, sa feja e saj: është drejtuese shembullore në të gjitha pikëpamjet. As murgjërit e as murgeshat nuk mund t’i kundërvihen në asnjë drejtim autoritetit të saj. Aq i shkëlqyer është shembulli i rregulltares, sa abacia do të dejtohej për shumë shekuj nga gratë.







All the contents on this site are copyrighted ©.