2008-04-08 19:37:03

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(08.04.2008 RV)8 prill: Norberti i Ksantenit preket nga hiri i Zotit!
Norberti fishkëllon i çkujdesur, në sa nget kalin nëpër shtigjet e pyllit, krejtësisht i kënaqur nga jeta e, sidomos, nga vetvetja. Jemi në pranverën e vitit 1115 e Norberti e di se është ende tepër tërheqës, ndonëse i ka mbushur tridhjetë e pesë vjetët. Përveç kësaj, ka një pasuri të pamasë e, për t’i vënë kapak të gjithave, është kushëri i perandorit të Perandorisë së Shenjtë Romake. Me një fjalë, s’ka ç’kërkon më nga Zoti! E me që u kujtua Zoti… Norberti është edhe kanonik. Kanonikët janë njerëz të kishës, të lidhur me një katedrale ose me një bazilikë; detyra tyre është të këshillojnë ipeshkvin e vendit. Janë këshilltarë, pra, e jo meshtarë, ndonëse meshtaria është një meritë më shumë, që të ndihmon për ta kryer si duhet këtë detyrë delikate. Norberti nuk e ka zgjedhur rrugën e meshtarisë, ndonëse si kanonik është i thirrur ta kalojë gjithë jetën duke u lutur e duke i shërbyer Hyjit. Por, duhet thënë edhe kjo, Norberti mendon për Zotin, vetëm atëherë kur s’ka ç’të bëjë tjetër. Gjë që do të thotë rrallë e për mall. “Se mos desha vetë të hyj në Kishë” – mendon me vete – “këtë ma bënë prindërit, pa më pyetur fare, desha s’desha”.
E ndërsa mendon kështu, kapela e tij elegante fluturon nga një shkulm i papritur ere. Një rrufe godet shtegun mu tek këmbët e tij e një zë nga qielli e pyet: “Norbert, pse më persekuton? Të bëra të bukur e të ri, që të më shërbesh!”.
Që nga kjo ditë Norberti bëhet njeri tjetër. Shet gjithçka që i kujton salltanetin e jetës së mëparshme e ua shpërndan paratë të varfërve. Vishet me thes e e kalon ditën duke u lutur nga agu në muzg. Kjo jetë e re i bezdis sa më s’ka miqtë e tij të mëparshëm, që vijojnë ta kalojnë kohën të çkujdesur, pranë dëfrimeve e larg Zotit. S’duan ta lenë të qetë. Prandaj Norberti vendos të largohet nga vendlindja e të shkojë në Francë, ku takohet me papën Gjelazi II, i cili i krijon kushtet për të bërë jetën që ëndërron: të shtegtojë në të katër anët, për të predikuar, dmth për t’u folur për Zotin të gjithë njerëzve që do të takojë në udhët e botës.Por një dimër Norberti sëmuret rëndë. Nuk është për t’u çuditur, me që ecën këmbëzbathur në rrugët e mbuluara me dëborë! Miqtë e Norbertit, për t’ia shpëtuar jetën, të cilën ai e vë për ditë në rrezik, pa pyetur fare për fundin, e këshillojnë të gjejë një vend të përshtatshëm e aty të themelojë ndonjë urdhër të ri. Norbertit i duket me vend kjo ide, ndonëse nuk e çan fare kokën për shëndetin e tij. Kështu mbledh një grup shokësh e vendoset në veri të Francës, në një vend të quajtur Prémontré. Kanonikët e parë premostratens bashkohen me të rreth vitit 1120 e urdhëri i ri nis të përhapet me shpejtësi në vise të ndryshme të Evropës. E vijon të përhapet edhe sot në të katër anët e botës, ku kanonikët premostratensë janë famullitarë, kapelanë spitalesh, shkollash, burgjesh. Shquhen për zell të jashtëzakonshëm, ashtu si themeluesi i tyre, krenari Norberti i Ksantenit, zotëria i madh, të cilin një rrufe e shitoi aq, sa të ndërronte udhën që e çonte drejt kështjellës së tij, me rrugën drejt shenjtërisë!







All the contents on this site are copyrighted ©.