2008-04-07 18:39:05

Shuhet në Paris flaka olimpike, simbol i paqes


(07.04.2008 RV)Flaka Olimpike shuhet në Paris. Pas protestave në Londër, sot u ndërpre disa herë kalimi i flakëmbajtësit, të cilit iu fik pishtari nga organizatorët për motive sigurie. Së fundi, pas sulmeve të përsëritura të aktivistëve pro-tibetanë, flaka shkoi drejtpërdrejt në stadiumin, që duhej të ishte etapa e fundit e rrugës së saj. Kryetari i bashkisë anulloi ceremoninë e rastit dhe vendosi në dritaret e zyrës flamurin e Tibetit dhe një flamur të zi, ku rrathët olimpikë ishin zëvendësuar me pranga. I njëjti, që u var edhe në Kullën Ejfel të kryeqytetit francez. Tibetanët që banojnë në Francë organizuan sot një ditë solidariteti me tibetanët e shtypur nga Kina.
Ndërsa Pekini vazhdon të dënojë përpjekjen për të sabotuar kalimin e flakës olimpike, presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Zhak Rogà shprehu shqetësimin e thellë për ç’po ndodh dhe i kërkoi Kinës të zgjidhë sa më shpejt krizën në Tibet. Flaka Olimpike duhet të kalojë në kryeqytetin tibetan Lhasa më 20 e 21 qershor. Ndërkaq, stampa britanike i ka përshëndetur protestat e së shtunës në Londër si “triumf i demokracisë”. Nuk ka ndodhur kurrë ndonjëherë që flaka, simbol i paqes olimpike, që përhapet kudo ku shkon flakëmbajtësi, të ruhet me masa sigurie të jashtëzakonshme si këtë herë.







All the contents on this site are copyrighted ©.