Përkujtojmë 40 martirët shqiptarë, procesi i lumnimit të të cilëve vijon.
(07.04.2008 RV)Përkujtojmë 40 martirët
që, në lule të rinisë, derdhën gjakun për Krishtin në trojet shqiptare, kryesisht
gjatë diktaturës komuniste. U munduan e u mbytën mizorisht nga shkaku i urrejtjes
për Kryqin e Krishtit, prej kriminelëve të pandëshkuar! Hapja e procesit dioqezan,
aq të pritur, për beatifikimin dhe kanonizimin e tyre, u shpall më 10 nëntor të viti
2002, nga prefekti i asokohshëm i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, kardinali
Kreshencio Sepe, gjatë kremtimit të Eukaristisë, në katedralen e Shkodrës. Gjashtë
vjet më pas, në sa të krishterët shqiptarë presin ditën fatlume kur do t’i shikojnë
në nderimet e lterit, ne po kujtojmë Emrat e tyre të lumnueshëm:
Imzot
Vinçenc Prennushi: françeskan, ipeshkëv i Durrësit, poet i ëmbël. U burgos e u
torturua sepse nuk pranoi ta shkëpuste Kishën shqiptare nga Selia e Shenjtë; dha shpirt
me 19 mars 1949 në birucë të burgut, i shtrirë në dheun e lagësht, të ftohtë, këmbëzbathur,
si Shën Fraçesku, bir të cilit ishte!
Imzot Frano Gjini: ipeshkëv, martirizimi
i të cilit ia kaloi çdo fantazie kriminale njerëzore: i papërkulur para torturave,
si nuk pranoi ta shkëpusë Kishën nga Papa, u dënua me vdekje e u pushkatua më 11 mars
1948.
Imzot Jul Bonati: meshtari i madh intelektual, si u mbyll, për
torturë, në çmendinë e si provoi tmerre të padëgjuara në qeli të ndryshme të sigurimit
famëkeq, nga Vlora në Durrës, vdiq në burgun e Durrësit, pranë Imzot Prennushit, i
cili i jepte shûjtën për shtegtimin e mbram: Vojimin Shenjt.
Dom Alfons
Tracki: prifti gjerman, më shqiptar se shqiptarët, bir i Breslaut, u torturua
dhe u pushkatua më 25 qershor 1946, në moshën 50 vjeçe.
Dom Anton Muzaj:
u torturua në mënyrë çnjerëzore, vetëm sepse nuk pranoi të mohonte fenë: si i thyen
këmbë e duar, e liruan nga burgu dhe e nisën në shtëpi, ku vdiq mes dhimbjeve të tmerrshme
mbas pak ditësh, në moshën 29 vjeçare.
Dom Anton Zogaj: famullitar
i Durrësit, sekretar i Imzot Prennushit, meshtar jashtzakonisht i përgatitur në të
gjitha drejtimet, u burgos e u torturua mizorisht. E lanë të mbyllur disa ditë në
një banjo të qelbur, në sa priste ditën e pushkatimit: 31 dhjetorin e 1946-tës.
Dom
Dedë Maçaj: i akuzuar si spijun i Vatikanit, u torturua, u gjykua dhe u pushkatua
për rezistencën e tij heroike fetare, në moshën 27 vjeç.
Dom Dedë Malaj:
mbeti i paharruar në kujtesën e popullit për mbrojtjen heroike që i bëri fesë së krishterë
në gjyqin e organizuar kundër tij, që e dënoi me vdekje. U pushkatua në breg të Liqenit
të Shkodrës më 12 maj 1959. Ishte 39 vjeç.
Dom Dedë Plani: dha shpirt
në spital më 30 prill 1949, mbasi nuk pranoi asnjë akuzë e u bëri ballë heroikisht
torturave mizore.
Dom Ejëll Deda: famullitar i Bushatit, i arrestuar
vetëm pse ishte prift, vdiq më 12 maj 1948 në spitalin e burgut, mbas torturash çnjerëzore.
Dom
Jak Bushati: e akuzuan se ndihmonte diversantët, se bënte agjitacion e propagandë:
pretekste të cilat e çuan në pushkatimin pa gjyq më 12 shkurt 1949.
Papa
Josif Mihali: Njeri i Zotit, arrestuar e torturuar veç me këtë akuzë, u mbyt për
së gjalli në baltën e kënetës, në kampin e shfarosjes të Maliqit.
Dom Zef
Maksen: meshtar gjerman, pushkatuar me 1946, duke shqiptuar fjalët: "Des i lumtun,
tue mendue se do të kujtohem prej shqiptarëve si meshtár i fesë së Krishtit".
Dom
Lazër Shantoja: meshtár i ndritur, njeri i kulturës, i letërsisë e i artit, u
masakrua deri në atë gradë, sa vetë e ëma kërkoi nga xhelatët komunistë ta pushkatonin
një orë e më parë, gjë që s'munguan ta bënin në fushat e shkreta të Tiranës, në sa
ishte në moshën 54 vjeç.
Dom Lekë Sirdani: personalitet i shquar i
Kishës katolike: prift, patriot, shkrimtar. U torturua mizorisht dhe u mbyt për së
gjalli në një gropë ujërash të zeza.
Dom Luigj Prendushi: u arrestua,
u torturua dhe u pushkatua si spiun i Vatikanit më 24 janar 1947.
Dom Marin
Shkurti: i shuguruar meshtar më 1961, shërbeu pak kohë në Kishën me dyer të hapura
e shumë, në atë të heshtimit: guxoi ta vijojë heroikisht shërbimin meshtarak në kohën
e terrorit. U arrestua, prandaj, u torturua e u pushkatua në vitin 1969.
Dom
Mark Gjani: u arrestua për veprimtarinë e tij meshtarake dhe u shua gjatë torturave
të tmerrshme në duart e salvuesve të tij në qeli, me 1945.
Dom Mikel Beltoja:
u pushkatua më 10 shkurt 1974, mbasi mbrojti heroikisht e haptas idealet e veta fetare
në gjyqin që iu bë pas gjashtë muaj torturash, i cili e dënoi me vdekje.
Dom
Ndoc Suma: vdiq 2 vjet mbasi ishte liruar, i shkatërruar, nga burgu, ku u torturua
me akuza për të cilat thoshte: "Vetëm kur dola në gjyq e mora vesht pse isha arrestue".
Dom Ndre Zadeja: prift e poet, pushkatuar pa gjyq në qytetin e Shkodrës,
duke u bërë martiri i parë, viktimë e diktaturës komuniste.
Dom Pjetër Çuni:
prift; vdiq i varur me kokë poshtë mbi gropën e ujërave të zeza. Dom
Shtjefën Kurti: prift, pushkatuar para banorëve të Gurëzit. Sigurimi e akuzoi
se deshi të helmatiste popullin duke shfrytëzuar për këtë, furrat e bukës. Atë
Bernardin Palaj: frat e poet i madh, do të vdiste ne Kuvendin e Françeskanëve
në Shkodër, shndërruar në burg për 700 vetë. Nën torturat e Sigurimit mori tetanozin.
Qe mbledhësi i parë i Eposit të Kreshnikëve, mitolog i shquar, por edhe muzikant e
pianist i talentuar. Gjeni i letrave shqiptare, pasardhës i denjë i Fishtës së madh,
i mbytur e i harruar. Atë Çiprian Nika: françeskan, vdiq nën
akuzën e rëndë e shpifëse se kishte fshehur armë në elterin e Shëna Ndout, në Kishën
françeskane të Gjuhadolit. Atë Gaspër Suma: rregulltar, pinjoll
i një familjeje, që u shua nga komunistët, u arrestua më 1947 dhe vdiq në burg. Atë
Gjon Shllaku: frati i madh filozof, u pushkatua së bashkut me jezuitët Atë
Gjovani Fausti (misionar italian) e Atë Daniel Dajani si dhe me seminaristin
Mark Çuni, në fillimet e masakrës komuniste kundër klerit katolik. U akuzuan
për "tentativë arratisjeje" dhe për formimin e Partisë Demokristiane. Që të katërtëve
shteti shqiptar u ka dhënë dekoratën "Martir i Demokracisë". Atë
Karl Serreqi: frati që nuk pranoi të kallëxojë rrëfimin e një të plagosuri në
ndeshjet me komunistët në mal, e kaloi jetën burgjeve. Vdiq në Burrel më 4 prill 1954.
Është një ndër martirët e rrallë të sekretit të rrëfimit në historinë e Kishës universale. Atë
Mati Prendushi: frati që mori pjesë në ngritjen e flamurit në Deçiq, u përndoq
dhe u fal nga krajl Nikolla e nga mbreti Zog, por u dënua me vdekje nga i ashtuquajturi
"gjyq" komunist. Nuk i dihet as varri. Atë Serafin Koda: frat
françeskan; dha shpirt mbasi hetuesët komunistë, duke mos u ngopur me torturat e zakonshme,
ia shqyen fytin me thonj.
Vëlla Gjon Pantalia: jezuit; u arrestua ndër
të parët e vdiq në spital, mbasi vuajti tmerre të papërshkrueshme. Fran
Miraka, Qerim Sadiku e Gjelosh Lulashi, të rinj që edukoheshin ndër jezuitë; u
vranë pse deshën Krishtin.
Rishtarja stigmatine Maria Tuci: u torturua
e mbyllur në një thes, së bashku me një maçok, të cilin e godisnin me shkop. Virgjër
e martire, vasha dha shpirt me mundime të jashtëzakonshme.
At Luigj Paliqi
dhe dom Gjon Gazulli janë të vetmit martirë që i takojnë kohës para komunizmit.
At Luigj Paliqi u vra me atentat nga serbët, ndërsa dom Gjon Gazulli u var nga Zogu
në një shesh të Shkodrës në vitin 1927.
E, gjashtë vjet pas fillimit të procesit
të lumnimit, është e natyrshme të lindë pyetja: në ç’fazë ka arritur ky proces?
Përgjigjen e jep kryeipeshkvi metropolit i kryedioqezës së Shkodër-Pultit, imzot Angjelo
Masafra, në një intervistë të datës 22. 03. 2008, me dom David Gjugjën,
në sa Kisha universale kremtonte Ditën Botërore të Martirëve: