Papa në Shën Bartolome nderon martirët e shekullit XX dhe shpjegon kuptimin e martirizimit.
(07.04.2008 RV)Sot pasdite Benedikti
XVI vizitoi Bazilikën e Shën Bartolomeut në Ishullin romak Tiberin ku, me rastin e
40-vjetorit të themelimit të Bashkësisë së Shën Egjidit, kryesoi kremtimin e Fjalës
së Hyjit në kujtim të dëshmitarëve të fesë të shekullit XX, pra edhe të qindra dëshmitarëve,
të njohur e të panjohur, të fesë në Shqipëri, shumë nga të cilët derdhën edhe gjakun
për Krishtin. Bazilika e lashtë u zgjodh për këtë kremtim kaq domethënës, që
të kujton vijimin e martirizmit të Kishës katolike edhe në kohët moderne, sepse më
1993 Papa Gjon Pali II ia besoi pikërisht Bashkësisë së Shën Egjidit, anëtarët e së
cilës mblidhen këtu për t’u lutur, për t’u takuar me të rinjtë, me besimtarët romakë
e me shtegtarët. Që nga viti 1999-2000 Bazilika e Shën Bartolomeut është edhe
Seli e Komisionit për martirët e rinj, të cilit Papa Vojtila i ngarkoi detyrën të
dokumetojnë dëshmitë e të krishterëve që derdhën gjakun për Ungjillin në kohët moderne.
Veprimtaria e Komisionit është pjesë përbërëse e procesit të gjërë për azhurnimin
e martiriologëve, të cilin Papa e kujton në Letrën Apostolike ‘Tertio Millenio Adveniente”
(Në prag të Mijëvjeçarit të tretë), duke theksuar, ndërmjet tjerash: “Në shekullin
tonë u rikthyen martirët, shpesh pa emër, ‘ushtarë të panjohur” të kauzës së madhe
të Hyjit. Kisha duhet të bëjë çmos që të mos humbasë asnjë nga dëshmitë e tyre”. Gjatë
homelisë, Benedikti XVI e konsideroi këtë kremtim si shtegtim në përkujtim të martirëve
të shekullit XX, mijëra njerëz, të njohur e të panjohur, që në harkun e nëntëqindës,
derdhën gjakun për Zotin. Shtegtim i udhëhequr nga Fjala e Hyjit, “Fanar për hapat
tonë e dritë në udhën tonë” (cfr Ps 119,105), që ndriçon me shkëlqimin e vet
jetën e çdo besimtari. Në këtë vend, të ngarkuar me kujtime martirësh, Papa bëri
një nga pyetjet më të përsëritura gjatë dymijë vjetëve të krishterimit: “Pse martirët
nuk u përpoqën me çdo kusht ta shpëtonin jetën, pasuri e pazëvendësueshme? Pse vijuan
t’i shërbejnë Kishës, pa marrë parasysh rreziqe e kërcënime? Në këtë bazilikë,
ku ruhen reliket e Shën Bartolomeut Apostull e të Shën Adalbertit – kujtoi Papa -
pyetjes sonë i jep një përgjigje të fuqishme e bindëse, dëshmia e të gjithë atyre
që, jo vetëm gjatë 1900-tës, por që nga zanafilla e Kishës, flijuan jetën e tyre
për Krishtin. Duke u tërhequr vëmendjen të pranishmëve tek ikona e elterit kryesor
të Bazilikës së Shën Bartolomeut, e cila paraqet disa dëshmitarë të fesë, Papa Racinger
citoi fjalët simbolike, shkëputur nga Zbulesa e Shën Gjonit Apostull “Janë ata që
erdhën nga prova e madhe, që i lanë e i pastruan petkat me gjakun e Qengjit” (Zb.
7, 14). Ata që u ndezën nga e njëjta flakë dashurie, e cila e shtyu Krishtin të
derdhë gjakun për ne. Kjo mund të na duket e çuditshme, por i përgjigjet plotësisht
pyetjes, që vijon të bëjë njerëzimi, kur flitet për martirët: “Për virtyt të
këtij gjaku, u pastruam. Të ngushëlluar nga kjo flakë, edhe martirët derdhën gjakun
e u pastruan në dashuri: në dashurinë e Krishtit, që u dha forcë të flijoheshin,
duke kujtuar fjalën e Zotit: “Nuk ka dashuri më të madhe, sesa ajo që të shtyn të
japësh jetën për miqtë”. Dëshmitarët e fesë e jetuan këtë dashuri – vijoi
Ati i Shenjtë – e, duke ecur në gjurmët e Mësuesit Hyjnor, flijuan jetën për mbretërinë
e Hyjit. “Duke u ndaluar pranë gjashtë elterëve, që na kujtojnë të krishterët
e rënë nën dhunën totalitare të komunizmit e të nazizmit, të vrarët në Amerikë, në
Azi e Oqeani, në Spanjë e në Meksikë, e jo më pak në Afrikë - theksoi Papa
– kujtojmë sot edhe një mori ngjarjesh të dhimbshme të shekullit të kaluar”. Shumë
ranë në sa kryenin misionin ungjillëzues të Kishës: gjaku i tyre u bë një me gjakun
e të krishterëve vendas, të cilëve u kumtuan fenë e Krishtit. Të tjerë u mbytën për
shkak të urrejtjes ndaj fesë. Të tjerë akoma, sepse nuk deshën t’i brakstisnin të
varfërit, njerëzit që u qenë besuar. Janë shumë, shumë – pohoi Ati i Shenjtë - e
në vijim kujtoi kremtimin ekumenik jubilar të Gjon Palit II për martirët e rinj, më
7 maj 2000 në Kolose, ku pati kujtuar se martirët e kohës sonë përbëjnë afreskun
vigan të krishtërimit të shekullit XX, afreskun e Lumnive, të jetuara deri në derdhjen
e pikës së fundit të gjakut. E ky gjak – pati theksuar Gjon Pali II – u flet të
krishterëve me zë shumë më të fuqishëm se çdo përçarje e së kaluarës. “Eshtë
e vërtetë – vijoi Benedikti XVI – se për një çast dhuna, totalitarizmat, persekutimi,
mizoria e verbër, duken sikur e mbytin përgjithnjë zërin e dëshmitarëve të fesë të
cilët, parë me sy njerëzor, na duken si të mundurit e historisë. Po Jezusi i Ngjallur
e ndriçon dëshminë e tyre e na bën ta kuptojmë domethënien e martirizimit”. Papa
e përforcoi këtë mendim, me citimin e famshëm të Tertulianit: “Ne shtohemi, sa
herë që ju na mbillni: gjaku i martirëve është fara e të krishterëve të rinj”
(Apol., 50,13; CCL 1, 171). Në mundimin e poshtërimin e atyre që vuajnë për
kauzën e Ungjillit, vepron një forcë, të cilën bota nuk e njeh: forca e dashurisë
që e përballon dhe e mund vdekjen – tha në përfundim Benedikti XVI dhe, para se të
vlerësonte lart veprimtarinë e Bashkësisë së Shën Egjidit, kujtoi se edhe ky shekull
u hap me martirizim e se të krishterët përndiqen atëherë, kur janë vërtetë kripë e
tokës e dritë e botës, shenjë kundërshtie, ashtu si Mësuesi i tyre Hyjnor.