2008-04-07 18:43:11

Ndryshimet e klimës në qendër të Ditës Botërore të Shëndetit


(07.04.2008 RV)Sot kremtohet në të gjithë botën Dita e Shëndetit, nën kujdesin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Tema e zgjedhur, “Të mbrojmë shëndetin para ndryshimeve të klimës”, është rasti për të reflektuar mbi rreziqet në rritje për sigurinë shëndetësore ndërkombëtare. Gazet serë, që rrisin temperaturën globale, përveç valëve të pazakonta të të nxehtit, zvogëlimit të prodhimit bujqësor dhe rritjes së numrit të përmbytjeve, po shkaktojnë edhe keqësimin e kushteve shëndetësore për miliona njerëz. Gjatë 100 vjetëve të fundit, temperatura e sipërfaqes tokësore është rritur globalisht me 0,74%. Në Evropë parashikohet që në fund të këtij shekulli temperatura të rritet, sipas skenarëve të ndryshëm, me 2,3 deri në 6°C. Në këtë kuadër shtohen rreziqet për patologjitë kardiovaskolare, renale, metabolike e sidomos të frymëmarrjes. Për këto të fundit, ndryshimi i klimës mund të keqësojë cilësinë e ajrit në qytete; valët e të nxehtit shkaktojnë vdekje, që kanë si shkak probleme në frymëmarrje; gjithashtu, sezoni i alergjive në veri vjen më parë për shkak se bimët lulëzojnë para kohe.







All the contents on this site are copyrighted ©.