2008-04-07 18:46:33

Benedikti XVI në lutjen e Mbretëreshës Qiellore: feja duhet përforcuar çdo ditë, jo me fjalë njerëzore, por me fjalën e Hyjit dhe Eukaristinë.


(07.04.2008 RV)RealAudioMP3 “Të rizbulojmë në Jezusin, shokun e udhës për gjithë jetën tonë, të vetmin që di të ndezë ndër zemra ngrohtësinë e fesë e të shpresës, e cila nganjëherë shuhet nga fryma e keqe, që nuk mungon të fryjë mbi jetën njerëzore”. Ky është mësimi i Benediktit XVI, i nxjerrë nga Ungjilli i dishepujve të Emausit, që shpallej dje në liturgjinë e së Dielës së tretë të Pashkëve. Për këtë foli Papa gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore në Sheshin e Shën Pjetrit, duke përshëndetur, në përfundim, pjesëmarrësit e Kongresit të parë apostolik të Mëshirës Hyjnore.
Ngjarjet e rënda të jetës mund ta venë në dyshim edhe fenë më të fortë. E njeriu, i cili e kalon këtë krizë, provon një ndjenjë tejet të hidhur, që e shtyn të mendojë se Zoti e ka tradhtuar. E kjo mund të ndodhë dymijë vjet pas Ngjalljes së Krishtit, ashtu si pak orë pas kësaj ngjarje. Dishepujt e Emausit, që vihen, të pangushëlluar, për udhë, pasi kanë qenë të pranishëm në vdekjen e Krishtit, por edhe pasi e kanë marrë lajmin mbi ‘varrin e zbrazët’, që për ta është ende thjeshtë fjalë goje, , janë dy njerëz të zhgënjyer, që shikojnë në Jezusin e Nazaretit, profetin e madh të dështuar. “Ne patëm shpresuar’ – i thonë të huajit, që është bashkuar me ta e që nuk e njohin. E kjo folje në një kohë të kaluar - komentoi Papa, na thotë gjithçka:
“Kush nuk e ka provuar në jetë një çast si ky? Nganjëherë vetë feja hyn në krizë, për shkak të përvojës negative, që na bën ta ndjejmë veten të braktisur e të tradhtuar edhe nga vetë Zoti. Udha për Emaus bëhet, atëherë, udhë e pastrimit e e pjekurisë së besojmës sonë në Hyjin: takimi me Krishtin e Ngjallur na dhuron një fe më të thellë e më të vërtetë, të kalitur në zjarrin e Pashkëve; një fe të fortë, sepse nuk ushqehet me ide njerëzore, por me fjalën e Hyjit dhe me Eukaristinë”.
Nuk dihet me siguri ku ishte Emausi – pati vërejtur pak më parë Ati i Shenjtë. Ka disa hamendje e kjo – shtoi – na bën përshtypje të thellë, nga që na lë të nënkuptojmë se Emausi përfaqëson realitetin e çdo vendi.
Papa e përfundoi reflektimin, duke vënë në dukje se teksti i Ungjillit të Emausit përmban strukturën e Meshës, me dëgjimin e Fjalës, që pasohet nga liturgjia eukaristike.
E menjëherë pas përfundimit të lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Benedikti XVI u drejtoi këtë përshëndetje pjesëmarrësve të Kongresit të parë të Mëshirës Hyjnore, që përfundoi dje:
Falënderoj organizatorët, posaçërisht Vikariatin e Romës, dhe të gjithë pjesëmarrësve u drejtoj një përshëndetje të përzemërt, që kthehet në porosi: “Shkoni e bëhuni dëshmitarë të mëshirës së Hyjit, burim shprese për çdo njeri e për mbarë botën. Zoti i Ngjallur qoftë përherë me ju!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.