2008-04-06 14:56:19

Nesër Papa do të kujtojë Martirët e kohës sonë.


(06.04.2008 RV)RealAudioMP3 Sot Papa Benedikti XVI tha lutjen e Mbretëreshës Qiellore në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, i ndjekur, si zakonisht, prej mijëra besimtarëve e shtegtarëve nga vende të ndryshme të botës. Gjatë Lutjes theksoi se, duke ecur në gjurmët e dishpujve të Emausit, besimtarët e krishterë duhet ta forcojnë fenë çdo ditë, e jo me fjalë njerëzore, por me fjalën e Hyjit dhe me Eukaristinë.
Nesër do të vizitojë Bazilikën e Shën Bartolomeut në Ishullin romak Tiberin ku, me rastin e 40-vjetorit të themelimit të Bashkësisë së Shën Egjidit, do të kryesojë një kremtim të Fjalës së Hyjit në kujtim të dëshmitarëve të fesë të shekullit XX, pra edhe të qindra dëshmitarëve, të njohur e të panjohur, të fesë në Shqipëri, shumë nga të cilët derdhën edhe gjakun për Krishtin. Kujtojmë se për 40 prej tyre vijon procesi dioqezan i lumnimit, që do t’i çojë në nderimet e elterit.
Bazilika e lashtë u zgjodh për këtë kremtim kaq domethënës, që të kujton vijimin e martirizmit të Kishës katolike edhe në kohët moderne, sepse më 1993 Papa Gjon Pali II ia besoi pikërisht Bashkësisë së Shën Egjidit, anëtarët e së cilës mblidhen këtu për t’u lutur, për t’u takuar me të rinjtë, me besimtarët romakë e me shtegtarët. Që nga viti 1999-2000 Bazilika e Shën Bartolomeut është edhe Seli e Komisionit për martirët e rinj, të cilit Papa Vojtila i ngarkoi detyrën të dokumetojnë dëshmitë e të krishterëve që derdhën gjakun për Ungjillin në kohët moderne. Veprimtaria e Komisionit është pjesë përbërëse e procesit të gjërë për azhurnimin e martiriologëve, të cilin Papa e kujton në Letrën Apostolike ‘Tertio Millenio Adveniente” (Në prag të Mijëvjeçarit të tretë), duke theksuar, ndërmjet tjerash: “Në shekullin tonë u rikthyen martirët, shpesh pa emër, ‘ushtarë të panjohur” të kauzës së madhe të Hyjit. Kisha duhet të bëjë çmos që të mos humbasë asnjë nga dëshmitë e tyre”. Kjo është porosia e Gjon Palit II, i cili gjatë gjithë javës së kaluar, u përkujtua në të katër anët e botës, në trevjetorin e vdekjes.







All the contents on this site are copyrighted ©.