2008-04-06 14:57:15

Benedikti XVI në SHBA (15-21 prill): shtegtim baritor.


(06.04.2008 RV)E ndërsa bota kujton Gjon Palin II, që pati fituar zemrën e mbarë njerëzimit, deri në Logun e Kuvendit të Kombeve, në OKB - Vashingtoni e Nju Jorku zjejnë nga përgatitjet për arritjen e pasardhësit të tij dhe nga nismat për ta njohur më mirë, në pritje të takimit të drejtpëdrejtë. Ka edhe nga ata që kanë nisur të tremben, duke menduar se fjalët e Benediktit XVI, thënë në atmosferën e ndezur të duelit parazgjedhor, mund të ndikojnë në zgjedhjen e njërit apo të tjetrit kandidat.
Po Benedikti XVI shkon në SHBA kryesisht për t’u folur masave të njerëzve, të cilët dëshirojnë që Papa t’i mësojë si ta takojnë Hyjin në jetën e tyre të përditshme. Kujtojmë se shtegtimi i 8-të ndërkombëtar i Benedikti XVI në Nju Jork dhe në kryeqytetin e SHBA, Uashington fillon më 15 e përfundon më 21 prill. Shtegtim i ngarkuar me veprimtari, nga takimi me presidentin amerikan në Studion Ovale të Shtëpisë së Bardhë, tek takimi me kardinajtë dhe ipeshkvijtë katolikë të vendit, përshëndetja e përfaqësuesve të fondacioneve bamirëse katolike, Mesha Shenjte në National Stadium (Nejshënell Steidium) të kryeqytetit, takimi me botën universitare katolike, me përfaqësuesit e feve të tjera, lutja ekumenike në Kishën e Shën Jozefit, në zonën e Manhatanit, në praninë e 250 udhëheqësve të kishave protestante e ortodokse amerikane e deri tek fjalimi i shumëpritur para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së e tek vizita në Ground Zero (Graund’Ziərou), ku Papa do të lutet për viktimat e atentateve, për të kremtuar më pas Meshën në Yankke Stadium (Jenki Steidium) të Nju Jorkut.







All the contents on this site are copyrighted ©.