Papa pjesëmarrësve të Kongresit botëror ‘Vaj mbi plagë”: Aborti e divorci janë faje
të rënda, por atyre që i bëjnë, Kisha duhet t’u afrohet me dashuri e ëmbëlsi.
(05.04.2008 RV)Në një kontekst kulturor, në të cilin ndjehet fuqimisht ndikimi
i individualizmit e i hedonizmit e, gjithnjë më shpesh, edhe mungesa e solidaritetit
e e mbështetjes së nevojshme shoqërore, njeriu, përballë vështirësive të jetës, detyrohet
të marrë vendime të dhimbshme. Ndërmjet këtyre vendimeve, divorci e aborti janë faje
të rënda, por megjithatë, njerëzve që i bëjnë, Kisha duhet t’u afrohet me dashuri
e ëmbëlsi. Këtë pohoi sot Papa Benedikti XVI, duke u takuar me pjesëmarrësit e Kongesit
ndërkombëtar “Vaj mbi plagë - përgjigje që u jepet plagëve të abortit e të divorcit”,
organizuar nga Istituti Papnor i studimeve për martesën e familjen ‘Gjon Pali II’. Vuajtjet
që provon njeriu në rrugën e dhimbshme të abortit e të divorcit, mund të lehtësohen
në dritën e Ungjillit të mëshirës, që i drejtohet njeriut konkret e mëkatar, për ta
ngritur përsëri në këmbë, sa herë që rrëzohet e për t’ia shëruar plagët e rënda, që
i hap në shpirt jeta. Me këto fjalë Benedikti XVI i tregoi Kishës rrugën në të cilën
duhet të ecë, për të përballuar plagët e abortit e të divorcit, nga të cilat vuajnë
shumë bashkëkohës: “Këtyre njerëzve – tha Papa – Kisha e ka për detyrë
të dorës së parë t’u afrohet me dashuri e delikatesë, me kujdes e vëmendje amtare,
për t’u kumtuar praninë e mëshirshme të Hyjit në Jezu Krishtin. Ai është Samaritani
i Mirë, që u bë i afërmi ynë: Ai, që i lyen me vaj e me verë varrët tona e që na çon
në bujtinë, në Kishë, ku na mjekon, duke na lëshuar në duart e shërbyesve të vet e
duke parapaguar personalisht për shërimin tonë”.