2008-04-04 19:16:52

Selia e Shenjtë sqaron keqkuptimet lidhur me Lutjen për judenjtë (Oremus et pro Iudaeis), duke uruar thellimin e miqësisë ndërmjet hebrenjve e të krishterëve.


(04.04.2008 RV)Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë publikoi sot një komunikatë, për të sqaruar keqkuptimet me disa sektorë të botës hebraike, që kanë shprehur ‘pakënaqësinë’ e tyre, pas formulimit të ri të Lutjes për hebrenjtë në liturgjinë e së Premtes së Madhe të Mesharit Romak, botim i vitit 1962. Ky tekst, sipas sektorëve të lartpërmendur, nuk qenka në harmoni me deklaratat zyrtare të Selisë së Shenjtë, që kanë të bëjnë me popullin hebre e me fenë e tij, gjë që ka ndikuar në progresin e marrëdhënieve miqësore ndërmjet hebrenjve e Kishës katolike në dyzet vjetët e fundit
Selia e Shenjtë – pohohet në komunikatë – siguron se formulimi i ri i lutjes, në të cilën janë modifikuar disa shprehje të Mesharit të vitit 1962, nuk ka abosolutisht asnjë qëllim t’i ndryshojë marrëdhëniet e mira ndërmjet Kishës katolike e hebrenjve, që vijojnë të thellohen duke nisur nga Koncili II i Vatikanit e Deklarata e tij ‘Nostra ætate’.Kujtojmë se gjatë takimit me Kryerabinin e Izraelit, më 15 shtator 2005, Benedikti XVI theksoi se kjo Deklaratë është gur kilometrik në rrugën e pajtimit të të krishterëve me popullin hebraik, që buron nga vetë misteri i Kishës. Ky mister na kujton lidhjen krejt të veçantë të popullit të Besëlidhjes së Re me fisin e Abrahamit, gjë që përjashton çdo formë të diskriminimit të hebrenjve dhe dënon me forcë të gjitha shprehjet e antisemitizmit.







All the contents on this site are copyrighted ©.