2008-04-04 19:10:34

Kisha Katolike e Shqipërisë pranë banorëve të dëmtuar nga shpërthimet e 15 marsit


(04.4.2008 RV)Presidenti i Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Shqipërisë e Kryeipeshkvi i Tiranë- Durrësit Imzot Rrok Mirdita, ka vizituar sot pasdite banorët e fshatrave të dëmtuara nga shpërthimet e 15 marsit, të cilët janë strehuar në shtëpinë e pushimit të Ministrisë së Mbrojtjes pranë qytetit të Durrësit dhe ka sjell ndihma të Karitasit Shqiptar për këta banorë.
Imzot Mirdita është takuar me disa nga familjarët e strehuar në mjediset e kësaj qendre dhe ka shprehur bindjen se pas përballimit të fatkeqësisë së 15 marsit duhet besim për të zgjidhur edhe kthimin sa më parë të banorëve në shtëpitë e tyre.
Dy kamionë me ndihma ushqimore nga "Karitasi" i Kishës Katolike të Shqipërisë kanë mbërritur po sot në mjediset e shtëpisë së pushimit të Ministrisë së Mbrojtjes.
Duke iu përgjigjur interesimit të mediave Imzot Rrok Mirdita tha se që në ditët e para pas tragjedisë së Gërdecit, Kisha Katolike e Shqipërisë përmes "Karitasit Shqiptar” ka kërkuar ndihmë nga donatorë në të gjithë botën, të cilët me fisnikërinë e tyre i janë përgjigjur pozitivisht kësaj kërkese.
Imzot Miridita tha se është shumë e rëndësishme që tani të punohet edhe për integrimin social të banorëve të këtyre zonave.
Drejtori i "Karitas-it", Albert Nikolla, u shpreh se falë përvojës së krijuar që në vitin 1992 në vendin tonë si dhe një marrëveshjeje me bashkinë e Vorës, "Karitasi" ka sjellë vazhdimisht ndihma në ushqime në këtë qendër si dhe në fshatrat Gërdec dhe Marqinet.







All the contents on this site are copyrighted ©.