2008-04-04 19:11:22

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(04.04.2008 RV)4 prill:RealAudioMP3 Me çlirimin e Toledos, Spanja u bë përsëri katolike.

 
“Rroftë mbreti!”. Ushtria e mbretit Alfonsi VI të Spanjës është në kulmin e haresë: Toledo ra. Kaloi përsëri në duart e spanjollëve. Qyteti i madh i Spanjës qëndrore, simbol i sundimit mysliman mbi gjithë vendin, u dorëzua! Më 25 maj 1085 ushtria e krishterë e mbretit, me të cilën u bashkuan ushtritë e Borgonjës, të Akuitanisë e të Normandisë, arrin një fitore të merituar mbi ushtrinë myslimane, ngujuar në Toledo!
“Që sot e gjithë Spanja është përsëri e krishterë!” – deklaron me zë të lartë mbreti Alfons para ushtrisë së tij fitimtare - dhe shton: “Por tani që portat e qytetit të Toledos janë hapur para nesh, t’i lutemi Hyjit e ta falënderojmë që na dha fitoren”.
Mbi radhët e gjata të ushtarëve bie një heshtje e thellë. Të gjithë falënderojnë, në heshtje, Hyjin, që i ndihmoi ta çlirojnë qytetin: kjo fitore do t’i japë një hov të ri krishterimit.
Mbreti e njerëzit e tij e dinë mirë sa e rëndësishme është fitorja. Toledo, kryeqyteti i lashtë i Spanjës vizigote, është përsëri në duart e të krishterëve!
Ngadalë-ngadalë, Alfonsi VI dhe mbretërit e tjerë katolikë pas tij, do t’i dëbojnë të gjithë myslimanët e do t’i çlirojnë mbarë trojet spanjolle. Megjithatë, do të duhet një kohë e gjatë, plot me beteja e fitore, por edhe plot me gjak e vringëllima armësh nga të dyja palët ndërluftuese. Duhet pritur shumë derisa Spanja të çlirohet plotësisht. Kjo ditë do të zbardhë vetëm në vitin 1492. Por në këtë çast ngazllimtar të vitit 1085 mbreti e ushtarët e tij, sigurisht nuk mendojnë për vështirësitë që i presin në të ardhmen ata e brezat që do të vijnë pas tyre. Të gjithë shijojnë të tashmen. Atë ças mendjet e zemrat galdojnë e gojë më gojë kalon vetëm një fjalë: “Fitore!”. Është fillimi i një epoke të re për Spanjën e krishterë.
Në të vërtetë çlirimi i Toledos shënon një etapë tepër të rëndësishme për historinë e krishtërimit në Spanjë. Në përpjekjen për të shmangur përdorimin e dhunës, Alfonsi VI u siguron mbrojtjen myslimanëve, që jetojnë në qytet që prej tre shekujsh. Veç tjerash, Toledo është një qytet tepër i përmendur si qendër shkencore e filozofike. Mbreti nuk do në asnjë mënyrë që të humbasë thesari i kulturës, mbledhur këtu në shekuj, e as të largohen mendjet e ndritura, që e shtuan jetë pas jete këtë pasuri të pamasë. Nuk do ta dëmtojë, dhe ia arrin ta ruajë. Toledo lulëzoi nën sundimin mysliman, ndërsa në epokën e krishterë shkëlqimi i qytetit arrin një nga kulmet më të larta të historisë së tij. Përparojnë më shumë se në çdo vend tjetër astronomia, matematika e mjekësia. Pas disa vjetësh, nën sundimin e kryeipeshkvit Raimond, qyteti bëhet qendër e madhe e përkthimit nga arabishtja në latinisht. Bota perëndimore rizbulon tekstet dhe kulturën e Greqisë së lashtë, të ruajtura me kujdes të jashtëzakonshëm nga myslimanët. Po ky është vetëm fillimi i ndikimit spanjoll në botë…







All the contents on this site are copyrighted ©.