2008-04-03 17:11:33

Të rinjtë e kujtojnë Gjon Palin II si dëshmitar i Krishtit, që vijon të na flasë.


(03.04.2008 RV)Sekreti i jetës dhe i dëshmisë së Gjon Palit II, duhet kërkuar në lidhjen e thellë e të sigurtë me Hyjin e me Jezu Krishtin. Këtë theksoi mbrëmë kardinali Kamilo Ruini në Kriptën e Vatikanit, ku kryesoi Natën e lutjes, kremtuar nga të rinjtë në kujtim të Papës Vojtila. Para varrit, në të cilin Gjon Palit II zbriti tri vjet më parë, u lutën edhe kardinali Angjelo Komastri si dhe kardinali Stanislao Dxhivish. Hirësia e Tij ia besoi ndërmjetësimit të Papës Vojtila shqetësimet e njerëzve e sidomos të rinisë, duke kujtuar edhe të rinjtë që ishin gjunjëzuar, në të njëjtin çast, në kapelën e Kryeipeshkvisë së Krakovisë, të bashkuar shpirtërisht me të rinjtë që luteshin në vendin ku pushon në paqë, Papa që sa qe gjallë, nuk diti ç’është pushimi. E ndërsa një grup të rinjsh lutej brenda kriptës për shpirtin e Papës Gjon Pali II, përjashta, në Sheshin e Shën Pjetrit, vezullonin qindra dritëza qirinjsh, ndezur nga grupe të tjera, që e ndiqnin prej ekraneve të mëdha kremtimn pranë varrit të Mikut të madh të të rinjve.







All the contents on this site are copyrighted ©.