(03.04.2008 RV)Shqipëria në NATO. Sot, një nga ëndërrat e integrimit të shqiptarëve
u realizua. Shqipëria, sëbashku me Kroacinë u ftuan zyrtarisht të bëhen anëtare të
Paktit të Atlantikut. E zhgënjyer Maqedonia, integrimi i së cilës u shty, për shkak
të kundërshtimit grek. Ndërmjet Shkupit dhe Athinës ka mosmarrëveshje për çështjen
e emrit. Deri në çastin e fundit, vendet anëtare u përpoqën të gjenin një konsensus
apo ndonjë formulë për të ftuar edhe Maqedoninë, si për shembull një integrim me kusht
që brenda një kohe të caktuar të zgjidhej çështja e emrit, por Athina ishte e vendosur
të përdorte veton kundër Shkupit. Si përgjigje, ministri i jashtëm maqedonas u largua
nga mbledhja, në ditën e saj të dytë, në Bukuresht të Rumanisë. Presidenti i Shqipërisë,
Bamir Topi falenderoi NATO-n për besimin dhe u shpreh i gatshëm që të marrë përsipër
të gjitha përgjegjësitë që vijnë nga anëtarësimi në organizatë. E këto përgjegjësi
nuk vonuan të numëroheshin nga presidenti amerikan Bush, si për Tiranën, ashtu edhe
për Zagrebin. “Këto dy vende do të jenë të afta të përballojnë reformat” – u shpreh
me besim ai. Nesër, Bush pritet në festën e Zagrebit për integrimin në NATO. Po
sot paradite, u miratua edhe plani amerikan i mbrojtjes me raketa në qendër të Evropës,
pavarësisht nga kontradiktat me Rusinë. Por nuk u arrit marrëveshja për afrimin e
vendeve të orbitës sovjetike, si Ukraina dhe Gjeorgjia në NATO, ashtu siç do të kishte
dëshiruar presidenti Bush. Vendet e 26-shes gjithsesi akorduan trupat ushtarake shtesë
të kërkuara nga Uashingtoni për në Afganistan. Ndërkaq, sekretari i përgjithshëm
Jap De Hop Shefer dha lajmin se mbledhja e jashtëzakonshme e vitit 2009 për 60 – vjetorin
e NATO-s do të mbahet ndërmjet Strasburgut dhe Kehlit, në kufirin ndërmjet Francës
dhe Gjermanisë. Këto qytete kanë vlerë simbolike, sepse shënojnë kufirin e dalë nga
dy luftra botërore, në të cilat Franca e Gjermania kanë luftuar si armiq. “Ura e Paqes”
mbi lumin Ren, që lidh dy qytetet, do të shërbejë si pikë referimi për të theksuar
rolin e organizatave si NATO, që kanë ndihmuar në kapërcimin e kontradiktave në Evropë.
Shqipëria që sot nuk do ketë me 'statusin' e partnerit në NATO, por atë të një anëtareje
të saj. 26 vendet anëtarë të NATO-s, zyrtarizuan sot në 3 prill, aspiratën
e Shqipërisë për integrimin në NATO. Një vendim i shumëpritur për qeverinë dhe shqiptarët,
që sipas politikanëve shqiptarë, do t'i japë fund tranzicionit të gjatë në Shqipëri.
"Një vendim historik për Shqipërinë", u shpreh Kryeministri Sali Berisha,
pasi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, zyrtarizoi ftesën
e Shqipërisë. Kryeministri Berisha cilësoi ndër të tjera se përmes këtij vendimi u
hap rruga e sigurisë për lirinë dhe të ardhmen e shqiptarëve që meritojnë kaq shumë.
"Vendimi i Kryetarëve të Shteteve dhe Qeverive të vendeve anëtare të NATO-s
për të ftuar Shqipërinë, është vlerësim dhe afirmim i përpjekjeve dhe arritjeve të
shqiptarëve në shndërrimin e Shqipërisë nga vendi i monizmit total, izolimit më të
thellë, hiperkolektivizmit të plotë, lirive dhe të drejtave të ndaluara, në vendin
e pluralizmit politik dhe demokracisë funksionuese, shtetit ligjor, ekonomisë së lirë
të tregut, një vend që këto 15 vite ka vendosur një bashkëpunim luajal të gjithanshëm
me Aleancën e Atlantikut të Veriut", tha Kryeministri i Shqipërisë në samitin e Bukureshtit.
Ndërsa Presidenti Bamir Topi vlerësoi se ftesa për në NATO lidhet me reformat e rëndësishme
politike dhe ekonomike në Shqipëri, reformat në sistemin e drejtësisë, në sistemin
zgjedhor, në sistemin e sigurisë, në Forcat e Armatosura, në modernizimin e institucioneve,
etj, të cilat janë kontribut i të gjitha forcave politike, pozitës dhe opozitës, i
të gjitha qeverive të mbas vitit 1992, por sidomos i vetë popullit shqiptar.
"Sot populli shqiptar shkëputet përfundimisht nga e kaluara e Jaltës dhe Potsdamit.
Shqipëria denjësisht dëshmon se liria dhe demokracia kthehen në virtyte edhe në vendin,
ku jo më shumë se dy dekada më parë, diktatura më e egër në historinë e pas Luftës
së Dytë Botërore, e kishte kthyer në institucion dhunën ndaj lirisë dhe të drejtës",
tha sot Presidenti Topi në fjalën e mbajtur në samitin e Bukureshti, pas marrjes së
ftesës së shumëpritur në Samitin e Bukureshtit. Rruga e Shqipërisë në NATO
Nga ATSH-ja. SHQIPËRIA NË NATORruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit në NATO
filloi në vitin 1992, vetëm pak kohë pas vendosjes së pluralizimit në vendin tonë.
Atëherë Shqipëria u bashkua me Këshillin e Bashkëpunimit të Traktatit të Atlantikut
të Veriut, i quajtur në vitin 1997 Këshilli i Partneritetit Euroatlantik. Shqipëria
ishte vendi i parë ish-komunist i Europës Lindore që kërkoi anëtarësimin në NATO dhe
ndër vendet e para që në vitin 1994 nënshkroi Programin e Partneritetit për Paqen
të NATO-s (PfP). NATO-ja, ashtu si dhe Bashkimi Europian, pas permbysjes se
diktaturave komuniste ne vendet e Europës Lindore, u ndeshën me kërkesën e këtyre
të fundit për t'u anëtarësuar sa më shpejt në strukturat e tyre politike, ushtarake
dhe ekonomike. Por edhe NATO-ja veproi në të njëjtën mënyrë si Bashkimi Europian.
Ajo as nuk ua mbylli derën atyre, as e hapi atë fare, por ndoqi një politike pritjeje,
studimi dhe parapërgatitore. Për këtë qëllim ajo krijoi edhe një program specifik
për vendet e reja kandidate, i ashtuquajturi programi i partneritetit për paqe.
Në 25 korrik të vitit 96, ish- ministri shqiptar i Mbrojtjes, Safet Zhulali, deklaroi
se Shqipëria synonte të modernizonte mbrojtjen e saj dhe të intensifikonte marrëdhëniet
me NATO-n dhe fqinjët e saj gjatë katër viteve të ardhshme. Ish- ministri Zhulali
theksoi atëherë se Shqipëria kishte përmbushur kriterin politik për anëtarësimin në
NATO dhe po bënte përpjekje për arritjen e standardeve teknike të kërkuara.
Angazhimi paqësor i ushtrisë konsistonte në bashkëpunimin politik dhe ushtarak aktiv
me Aleancën e Atlantikut dhe me vendet e NATO-s dhe për një bashkëpunim rajonal aktiv
për forcimin e paqes, sigurimit dhe stabilitetit. Ky angazhim vazhdoi dhe nga
ministrat dhe qeveritë pasardhëse. Në tetor të vitit 1998 qeveria shqiptare vendosi
të vinte në dispozicion të NATO-s hapësirat e saj ajrore dhe detare për kryerjen e
veprimtarise së tyre për zgjidhjen e krizës në Kosovë. Vendimi i atëhershëm u mor
pas shqyrtimit të propozimit të ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë, për të lehtësuar
operacionet ushtarake të NATO-s nëpërmjet detit dhe ajrit, në rast se kjo e fundit
do të vendoste të ndërhynte për zgjidhjen e konfliktit në Kosovë në zbatim të Rezolutës
nr. 1199 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën. "Shqipëria është
një vend besnik ndaj NATO-s. Ajo zë një vend strategjik në Ballkan dhe për shumë arsye
NATO e ka ndihmuar atë vazhdimisht në drejtim të reformimit të Forcave të Armatosura
dhe të përmirësimit të strukturave te tyre", u shpreh zv/sekretari i Përgjithshëm
i NATO-s Sergio Balanzino, gjatë vizitës që zhvilloi në Tiranë në 1 dhjetor të vitit
2000. Deklarata të tilla ka pasur gjatë gjithë këtyre viteve të përpjekeve
të Shqipërisë për anëtarësimin në NATO. Liderët të NATO-s si ish-sekretarët e përgjithshëm
të NATO-s Javier Solana, Xhorxh Robertson, kanë shprehur gatishmërinë e Aleances
për të forcuar më tej marrëdheniet me Shqipërinë, marrëdhënie që kishin një qëllim,
atë të anëtarësimit të vendit tonë në NATO, që u zyrtarizua sot nga sekretari aktual
i NATO-s Jaap de Hoop Scheffer. Përgatiti Klodi Shehu /s.s./