(02.04.2008 RV)Për kujtim, në përvjetorin e tretë të vdekjes së Papës Vojtila,
mikut të Shqipërisë e të shqiptarëve: Papa Gjon Pali II dhe Shqipëria (Skedë). Papa
Gjon Pali II dhe ngjarjet më të rëndësishme të Kishës katolike në Shqipëri: një lidhje
historike, e pazgjidhshme, që pushton thuajse një gjysëm shekulli. Duke qenë
përherë një nga gjymtyrët më të ligshta të Kishës universale, Papa Gjon Pali II, ashtu
si parardhësit e Tij, e ka rrethuar gjithnjë Kishën katolike në Shqipëri me atë kujdes
që tregojnë prindërit për fëmijën e vogël. Gjon Pali II ka qenë përherë i gatshëm
ta mobilizojë Kishën universale në ndihmë të Shqipërisë e të shqiptarëve, si dhe të
ndërmjetësojë vazhdimisht pranë bashkësisë ndërkombëtare për fatet e vendit të shqiponjave
e jo më pak, të Kosovës. Por, të ndjekim një kronikë të shkurtër, që flet
vetë për këtë interesim: - 3 shtator 1951: Sekretaria e Shtetit të Qytetit
të Vatikanit vendosi që Radioja e papës të flasë edhe në gjuhën shqipe. Udha e saj
nisi me: "Udhën e Krygjës", për të ndjekur pastaj hap pas hapi, për 26 vjet me radhë
Papën e ardhur nga larg, që u ul në fronin e papnisë më 26 qershor 1967. -
Më 5 tetor 1980, gjatë vizitës në Otranto të Italisë, Papa Gjon Pali II nga brigjet
e përtejme të Adriatikut, i drejtoi popullit shqiptar mesazhin e tij të parë të dashurisë
atërore dhe të kujdesit për grigjën e vogël të martirizuar të katolikëve, nën thundrën
e diktaturës komuniste. Në homelinë e Meshës shenjte, kushtuar martirizimit të të
krishterëve në shekuj, Papa sensibilizoi mbarë botën me fjalët: “E kështu sot
nuk mund të mos e hedh vështrimin përtej detit, ku Kisha heroike në Shqipëri tronditet
thellë nga persekutimi i gjatë, por edhe pasurohet nga dëshmia e martirëve të saj:
ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë rregulltare e besimtarë të thjeshtë”. -
Më 6 maj 1988 një grup shqiptarësh të diasporës së Amerikës shtegtuan drejt Romës
për t’u takuar me Gjon Palin II. Ishte takimi i parë i drejtpëdrejtë i Karol Wojtylës
me shqiptarët - shumica të ikur nga atdheu për t’i shpëtuar diktaturës. Shtegtimi
fillon më 5 maj, me arritjen e shtegtarëve të largët. Më 6 maj – audienca
në sallën Klementine në Vatikan; fjalimi programatik i Papës dhe lutja drejtuar Zojës
së Këshillit të Mirë për popullin shqiptar. - 1989: vizita e parë e Nënë
Terezës në Shqipëri. -1990 kremtimi Meshëve të para të pas diktaturës.
4 nëntor 1990 – kremtohet Mesha e parë në varrezën e Rrëmajit në Shkodër. 11
nëntor 1990 – kremtohet Mesha solemne në kapelën e varrezave të Rrëmajit. -
17 tetor 1990: Përurohet në Shkodër seminari ndërdioqezan “Zoja e Këshillit të
Mirë”. - 2 qershor 1991 – Në solemnitetin e Korpit të Krishtit kremtohet
Mesha solemne me procesion e kryesuar nga Imzot Ercole Lupinaçi, anëtar i delegacionit
të Selisë së Shenjtë në Shqipëri.
- 8 korrik 1991: Imzot Nikollë Troshani,
i vetmi ipeshkëv katolik që kishte shpëtuar gjallë nga hjerarkia e para-diktaturës,
asokohe 76 vjeç, vjen në Vatikan, pritet në audiencë nga Papa Gjon Pali II dhe e fton
Shenjtërinë e Tij të vizitojë Shqipërinë. Merr përgjigjen se kjo vizitë do të bëhej
e mundur në të ardhmen e se vijon t’i lutet Zotit për fatet e Shqipërisë. -
28 tetor 1991:- Rivendosen marrëdhëniet diplomatike në rang nunciature apostolike
për Selinë e Shenjtë dhe ambasade për Shqipërinë. 28 nëntor 1991: - Kisha
katolike e Shqipërisë përfaqësohet nga dom Zef Simoni (më vonë ipeshkëv-ndihmës i
Shkodrës) në Sinodin e posaçëm të ipeshkvijve për Evropën Më 7 maj 1992 Papa
Gjon Pali II priti në audiencë në Vatikan presidentin e parë të Shqipërisë demokratike,
dr. Sali Berishën - 22 prill 1993: Ambasadori i parë Willy Kamsi paraqet
letrat kredenciale pak ditë para shtegtimit të Papës Gjon Pali II drejt Shqipërisë;
Nunc i parë apostolik emërohet prelati indian, Imzot Ivan Dias. - 25 prill 1993
- Papa Gjon Pali II viziton Shqipërinë, duke u ndaluar në Shkodër dhe Tiranë:
gjatë vizitës i dhuron Kishës së martirizuar hjerarkinë e re të pasdiktarurës- katër
ipeshkvij të rinj: Imzot Frano Illinë, Imzot Rrok Mirditën, Imzot Robert Ashtën dhe
Imzot Zef Simonin. 2 nëntor 1994 – Gjatë lujtes së Engjëllit të Tënzot,
Ati i Shenjtë lajmëroi se Kolegji i Kardinajve do të pasurohej me 30 kardinaj të rinj.
Ndërmjet tyre do të ishte edhe kardinali i parë shqiptar, Mikel Koliqi, krijuar kardinal
në Konçistorin VI. - 26 nëntor 1994 - Ati i Shenjtë krijon kardinalin e
parë shqiptar, Hirësinë e tij, Mikel Koliqin.
28 nëntor 1994: - Papa
Gjon Pali II priti në audiencë Hirësinë e Tij, kardinalin Koliqi së bashku me ipeshkvij,
meshtarë, besimtarë, përrfaqësues të qeverisë e të farefisit të kardinalit. -
27 maj 1995 - organizohet shtegtimi i madh i shqiptarëve ne Gjenacan me rastin
e 100 vjetorit te shpalljes se Zojës se Këshillit te Mirë, Pajtore të Shqipërisë dhe
mbarë popullit shqiptar. - 17 nëntor 1995 – ipeshkvijtë e ish-Jugosllavisë,
ndërmjet të cilëve Imzot Nikë Prela, ipeshkëv i dioqezit Shkup-Prizren, takohen me
Papën Gjon Pali II në Vatikan: flitet për kontributin e posaçëm që duhet të japin
katolikët përmes përvojës së faljes e të pajtimit. 7 nëntor 1996: - me rastin
e kremtimeve të 50-vjetorit të meshtarisë të Papës në Vatikan, jezuiti shqiptar, Atë
Anton Luli, e përshëndet Gjon Palin II në emër të të gjithë meshtarëve të botës. -
7 dhjetor 1966 - Shenjtëria e Tij Gjon Pali II riorganizon dioqezat e Kishës katolike
në Shqipëri: themelon Dioqezën e Rrëshenit (Mirditë) në vend të abacisë së Oroshit
dhe emëron si të parin Ipeshkëv të Rrëshenit dhe administrator apostolik të dioqezës
së Lezhës, Atë Angelo Massafrën OFM, asokohe Këshilltar i Provinçës Françeskane Shqiptare
dhe Famullitar i Troshanit; ndërsa si administrator apostolik të Shqipërisë së Jugut,
emëron Atë Hil Kabashin, OFM, asokohe kapelan i besimtarëve shqiptarë në Gjermani. -
Papa Gjon Pali II shuguron ipeshkvij të rinj: Imzot Mark Sopin, ipeshkëv i Kosovës
më 6 janar 1996 në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan; Imzot Angelo Massafrën, më
6 janar 1997 në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan; Imzot Hil Kabashin më 6 janar
1997 në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan; 28 mars 1998 - Imzot Angelo Massafra
emërohet kryeipeshkëv metropolit i Shkodrës, duke zënë vendin e Monsinjor Illisë,
pas vdekjes dhe më 29 qershor 1998 merr nga duart e Papës Gjon Pali II në Vatikan
palion e kryeipeshkvit metropolit. Më 10 korrik 1998 Imzot Zef Gashi emërohet kryeipeshkëv
i Tivarit; shugurohet më 19 shtator 1998, në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan.
-
25 mars 1997: Gjon Pali II pret në audiencë në Vatikan kryeministrin e Shqipërisë,
Bashkim Fino. - Maj 1998 – Kardinali Jozef Tomko, Prefekt i Kongregatës
për Ungjillëzimin e Popujve, viziton Shqipërinë, takohet me përfaqësuesit më të lartë
të Kishës në vend, vlerëson rolin e Kishës në procesin e zhvillimit të vendit dhe
bekon Kishën e Zojës së Këshillit të Mirë të saporindërtuar. - Maj 1999:
Ambasadorët e vegjël të Paqes, mbledhës të gëzhojave vrasëse të revoltës së 1997-tës,
për të bërë me to Këmbanën e Paqes, priten në audiencë nga Papa Gjon Pali II. -
25 janar 2001: Papa zhvendos Selinë kryeipeshkvnore nga Kisha e Shën Luçisë në
Durrës në katedralen e Shën Palit të Tiranës. - 2 deri më 4 shkurt 2001
- vizita "ad Limina" e ipeshkvijve të Shqipërisë më 12 deri më 17 shkurt 2001 - e
ipeshkvijve të Kosovës në Vatikan: takimi me Papën Gjon Pali II. - 8-12 nëntor
2002: kardinali Crescenzio Sepe, Prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve
viziton Shqipërinë: më 9 nëntor takohet me Konferencën Ipeshkvnore të Shqipërisë;
më 10 nëntor kryeson Meshën në katedralen e Shkodrës, ku hap procesin dioqezan për
beatifikimin e 40-martirëve, shumica viktima të diktaturës dhe viziton dioqezin e
Sapës; më 11 nëntor kremton në Bajzë e në Lezhë. - 23 prill 2003: i dërguari
i posaçëm i Shenjtërisë së Tij, Papës Gjon Pali II, kardinali Ivan Dias, kryeipeshkëv
i Bombeit, merr pjesë, në emër të Shenjtërisë së Tij, në kremtimet që organizoi Kisha
katolike me rastin e përkujtimit të 10-vjetorit të vizitës së Papës Gjon Pali II në
Shqipëri dhe i sjell kishës katolike e mbarë popullit shqiptar, mesazhin e Atit të
Shenjtë. Këto kremtime shënojnë kulmin e Vitit 1993 shpallur nga ipeshkvijtë shqipfolës
Vit Jubilar, me rastin e 300-vjetorit të Kuvendit të Arbënit, që na kujton lidhjet
shekullore të pakëputura të popullit shqiptar me papët e Romës. - Romë, 19 tetor
2003– Nënë Tereza shpallet e Lume. - 14 nëntor 2004 – Papa Gjon
Pali II u krijon mërgimtarëve shqiptarë në Itali mundësinë të mblidhen në një kishë
për të përmbushur nevojat e tyre shpirtërore në gjuhë shqipe: përurohet për besimtarët
shqipfolës, Kisha e Shën Gjonit të mullagave në lagjen romake Trastevere. -
11 janar 2005: Papa Gjon Pali II i drejton përshëndetjen pjesëmarrësve në Sinodin
Ndërheparkial të Heparkive të Arbëreshëve të Italisë: asaj të Lungros në Kalabri,
të Horës së Arbëreshëve në Sicili dhe murgjërve të Abacisë së Grottaferratës, ku u
zhvillua Sinodi ndërherparkiak, i cili nisi më 15 tetor 2004, për të përfunduar pas
tre muajsh, më 14 janar 2005. - 25 janar 2005 – Gjon Pali II miraton riorganizimin
e dioqezave të Kishës katolike në Shqipëri, si vijon: - ngre në rangun e Selisë
metropolite, Kryedioqezën e Tiranë-Durrësit, duke e ndryshuar kështu emërtimin aktual
Kryedioqeza e Durrës-Tiranës e duke i caktuar si sufragane Dioqezën e Rrëshenit dhe
Administraturën Apostolike të Shqipërisë së Jugut;- i bashkëngjet Dioqezën e Pultit,
Kryedioqezës Metropolite të Shkodrës, që emërtohet Kryedioqeza e Shkodër-Pultit, duke
lënë si sufragane të të njëjtës Kryedioqezë, dioqezën e Lezhës e të Sapës.
-
18 mars 2005 – Imzot Mirditës i dorëzohet bula papnore për kthimin e kryedioqezës
së Tiranë-Durrësit në seli metropolite.