Bush në mbledhjen e NATO-s: tri vende të tjera ballkanike në Aleancë
(02.04.2008 RV)Filloi sot në Bukuresht
të Rumanisë, mbledhja e shumëpritur e NATO-s, ndoshta një nga samitet më të rëndësishme
të historisë së organizatës. Nesër, pritet që të ftohen në Paktin e Atlantikut, 1,
2 ose 3 vende, siç tha në mënyrë të papërcaktuar zëdhënësi, James Apathuari. Ai u
shpreh me nota pozitive për përparimet e bëra nga Kroacia dhe Shqipëria, por vuri
theksin mbi mosmarrëveshjet për çështjen e emrit të Maqedonisë, ndërmjet Athinës dhe
Shkupit. Sipas zëdhënësit, NATO-ja do të presë që të dyja vendet të gjejnë konsensusin
për këtë problem. Greqia ka qenë kategorike dhe ka kërcënuar se do të përdorë veton,
nëse formulohet ndonjë ftesë për hyrjen e Maqedonisë në Aleancë. Por, para samitit,
presidenti amerikan Bush, në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidentin
rumun Basesku, u shpreh në favor të integrimit të tre shteteve ballkanike, madje theksoi
se edhe Ukraina e Gjeorgjia duhet të bëjnë tashmë hapat e para drejt NATO-s. Nga
ana tjetër, Bush zbuti tonin e përdorur deri tani ndaj Moskës, duke deklaruar se Rusia
dhe SHBA-të duhet të bashkëpunojnë kundër terrorizmit e se Lufta e Ftohtë ka përfunduar.
Sipas presidentit amerikan, Moska dhe NATO-ja duhet të bashkëpunojnë edhe për mbrojtjen
me raketa, që deri tani ka qenë mollë sherri në marrëdhëniet me presidentin rus Putin.
Bush ka kërkuar gjithashtu që NATO-ja të dërgojë më tepër ushtarë në Afganistan, sepse
nuk mund t’ia lejojë vetes të mundet nga talebanët. Të dëgjojmë mendimin e prof. Alesandro
Kolombos, docent i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universtitetin Shtetëror të Milanos: Në
fillim të misionit, SHBA-të vendosën të ndërhynin vetëm e madje, ta përjashtonin
NATO-n nga sulmi i vitit 2001. Më pas, SHBA-të i kërkuan NATO-s të përmbushë detyra
gjithnjë e më të mëdha, sa më shumë që operacioni shkonte drejt falimentimit. Prandaj,
përfshirja e NATO-s është problematike edhe nga pikpamja politike, por s’ka dyshim
se do apo s’do, Aleanca rrezikon mbijetesën e vet në Afganistan. Temë tjetër e
debatit është zgjerimi i NATO-s në ish-republikat sovjetike, në Gjeorgji dhe Ukrainë.
Ç’domethënie ka sot zgjerimi i Aleancës Atlantike drejt Kaukazit? Do të thotë sidomos
një goditje e fortë, e mëtejshme për marrëdhëniet me Fedratën Ruse. Nuk është e rastit
që pjesa më e madhe e vendeve evropiane kanë dyshime përsa i përket ftesës zyrtare
të Ukrainës dhe Gjeorgjisë, në format që kjo ftesë është bërë për vendet e tjera më
parë. Po për mbrojtjen me raketa, cili është roli i NATO-s në marrëdhëniet SHBA-Rusi
për këtë problem? Në thelb, NATO-ja nuk mund të mos marrë pjesë në këtë nismë.
Nga ana tjetër, si NATO-ja ashtu edhe SHBA-të po bëjnë gjithçka për të përfshirë Federatën
ruse. Është një lojë e vjetër, që vazhdon prej disa vitesh: nga njëra anë, NATO-ja
dhe SHBA-të – që e udhëheqin – marrin një sërë vendimesh, të cilat dihet se do të
përjetohen nga Federata Ruse si potencialisht agresive. E, nga ana tjetër, përpiqen
ta sigurojnë Rusinë me një seri masash institucionale. Duhet parë sa mund të vazhdojë
kjo lojë. Nga ky samit do të dalë një NATO e ndryshuar? Do të dalë një NATO
e ndryshuar me një rezervë të vogël: kjo është mbledhja e fundit e Administratës Bush.
Në të vërtetë, e ardhmja e NATO-s do të varet mbi të gjitha nga presidenti i ri i
SHBA-ve.