2008-04-02 17:38:21

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(02.04.2008 RV)2 prill: Margerita e Skocisë, mbretëreshë e jashtëzakonshme.
“Kë pret kaq vonë në plazh, o mik shtegtar?”.
“Po shikoj mos gjej ndonjë anije që kalon rastësisht këtej, sepse dua të dal në bregun tjetër, në Skoci. Shtegtoj drejt shenjtërores së Shën Andreut”.
“Anija e sotme është nisur qëkur. Tjetra niset nesër në mëngjes. Ndërkaq mund ta kalosh natën këtu. Shiko ç’shtëpi të bukura janë ndërtuar përgjatë brigjeve: të gjitha të presin ty! Mjafton të trokasësh në njërën nga portat”.
“Vërtetë…. Po unë nuk kam aq para, sa të paguaj një vend kaq luksoz”.
“Nuk duhet të paguash asnjë kacille, as për fjetje, as për gjellën e ngrohtë, që do të shijosh, e as për anijen, që do të të çojë në trojet tona skoceze. Ti je shtegtar, prandaj për ty e për të gjithë shtegtarët, mendon mbretëresha jonë bujare, Margerita”.
Shtegtari nuk u beson veshëve. Por shumë shpejt bindet se gjithçka është e vërtetë. S’i mbetet tjetër veçse, kur të arrijë në shenjtërore, të lutet për këtë mbretëreshë kaq fisnike. E kur arrin… ç’e papritur e këndshme! Tronditet thellë në shpirt para gjithë asaj madhështie. Ndonëse ka shtegtuar shumë, s’ ka parë kurrë zbukurime të tilla. Me porosi të Margeritës, artistët kanë krijuar vepra mahnitëse arti e argjendarët kanë punuar kelke madhështore. Shtëpisë së Zotit nuk duhet t’i mungojnë stolitë më të bukura, që mund të krijojë dora e njeriut. E sado të bukura të jenë, nuk arrijnë kurrë të maten me artin e Atij, që është vetë Bukuria.
Por mbretëresha Margeritë e shpreh fenë e vet edhe në mënyra të tjera. E këtë nënshtetasit e shohin për ditë me sytë e tyre: çdo gjë që bën, mbretëresha e bën krishtërisht. Historia e saj merr dhenë: tregohet ndër bujtina, ndër rrugë e rreth tezgave të tregtarëve të vegjël, që fërkojnë duart të kënaqur sepse, falë vendimeve politike të Margeritës, Skocia bëhet çdo ditë e më e pasur. Margerita është mbesa e Edmond Përmjet-hekurit, trashëgimtare e fronit sakson. Pas vdekjes së Edmondit, familjes së saj iu desh të strehohej në Hungari. E pikërisht atje lind edhe Margerita. Parandaj kur, më 1070, familja vendos ta martojë me mbretin e Skocisë, Malkolmin III, Margerita e merr tepër seriozisht rolin e saj të ri. Para së gjithash, është bashkëshorte modelore, shumë e lidhur me burrin e me tetë fëmijët: gjashtë djem e dy vajza – që i fal Zoti. Por ajo nuk përpiqet vetëm për lumturinë e fëmijëve të vet: dëshiron t’i shikojë të lum të gjithë nënshtetasit, sepse të gjithë i shikon si të ishin fëmijët e saj. Gjatë njëzet e tre vjetëve të sundimit, u shpërndan të varfërve dhurata me të dyja duart; ndërton spitale për të sëmurët e kuvende për murgjërit. Madje organizon edhe një Konçil, për të ndaluar punë ditën e dielë, duke u krijuar kështu njerëzve kohën e duhur për të parë Meshë.
Mbretëresha Margerita vdes më 1093 në Kështjellën e Edimburgut, pak ditë pas vrasjes së Mbretit Malkolm. Shpallet shenjte dy shekuj pas vdekjes e skocezët i tregojnë gjithë botës sa e kishin dashur mbretëreshën tyre bamirëse, duke e shpallur Pajtore të Skocisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.