2008-04-01 17:21:09

Meshë e Benediktit XVI në Shën Pjetër në kujtim të Papës Gjon Palit II. Të rinjtë luten në Kriptën e Vatikanit


(01.04.2008 RV)RealAudioMP3 Papa Benedikti XVI do të kremtojë nesër në Sheshin e Shën Pjetrit Meshën për shpirt të Gjon Palit II, në përvjetorin e tretë të vdekjes. Në orën 21.00, në Kriptën e Vatikanit, do të zhvillohet një Mbrëmje lutjeje e të rinjve, e kryesuar nga kardinali Kamilo Ruini.
Kisha pra, përgatitet të përjetojë një moment intensiv përshpirtërie. Mesha do të kremtohet në orën 10.30 në Vatikan, por kudo katolikët do të kujtojnë papën polak, i cili u kthye në Shtëpinë e Atit pikërisht ndërsa pritej Solemniteti i Mëshirës Hyjnore, një kult që shënoi gjithë papninë e tij.
Ashtu si Karol Vojtila, edhe kulti i Mëshirës Hyjnore lindi në zemër të Polonisë. Apostulle e tij ka qenë një murgeshë e vogël polake, motër Faustina Kovalska, së cilës në vitin 1931, në moshën 26 vjeçare, iu duk Jezusi i ringjallur, që e bekonte. Faustinës i kërkon që të pikturojë një fugure, ku Krishti paraqitet me dy rreze që i dalin nga zemra. Fraza poshtë fugures ishte: “Jezus, jam në dorën tënde!” Një simbol që e shoqëron Karol Vojtilën gjithë jetën e, pas 70 vjetësh, në sajë të papës së parë polak, pikërisht Mëshira Hyjnore bëhet kult i Kishës universale. Të dëgjojmë Gjon Palin II:
“Ky mesazh ngushëllues u drejtohet sidomos atyre që, të mërzitur nga ndonjë sprovë veçanërisht e rëndë ose të shtypur nga pesha e mëkateve, kanë humbur çdo besim tek jeta dhe ndjejnë tundimin për ta lëshuar veten në dëshpërim. Atyre u shfaqet fytyra e ëmbël e Krishtit, mbi ta arrijnë ato rreze, që nisen nga zemra e tij e ndriçojnë, ngrohin, tregojnë rrugën dhe japin shpresë”.
Që 20 vjet para Jubileut të vitit 2000, Gjon Pali II i kushton Misterit të Mëshirës Hyjnore, Enciklikën “Dives in Misericordia”. Papa na mëson se njeriu jo vetëm jeton e provon mëshirën e Zotit, por është i thirrur të ketë mëshirë për të tjerët. Mëshira dhe falja janë pra një binom i pandashëm. Më 30 prill të vitit 2000 kanonizohet Motër Faustina, kaq e dashur për Papën Vojtila, i cili cakton të dielën e dytë të Pashkëve si “të Dielën e Mëshirës Hyjnore”.
Edhe në mesazhin e fundit të Gjon Palit II, lexuar në Sheshin e Shën Pjetrit pas vdekjes, bota i besohet Mëshirës Hyjnore. Akoma sot, jehojnë fjalët e Karol Vojtilës, papës së Lindjes që u bëri thirrje të gjithëve të mos kenë frikë, për ta lënë veten në dorën e Jezusit dhe të Mëshirës së tij:
“Ne sot, duke i ngulur sytë mbi fytyrën e Krishtit të ringjallur, e bëjmë tonën lutjen e lëshimit plot besim të vetevetes e themi me shpresë: Jezus, jam në dorën tënde!”
Rrugën e shën Faustinës e ka nisur tashmë edhe Shërbëtori i Zotit Gjon Pali II. Ja ç’tha në mikrofonin tonë, postulatori i Çështjes së Lumnimit, imzot Slavomir Oder, përsa i përket Positio-s, pra dokumentave që kanë të bëjnë me lumnimin e Papës Vojtila:
“Në ditët e kaluara kam dorëzuar një Positio gjysëm- të përfunduar, pra relacionin që përmbledh të gjitha dokumentat të organizuara në mënyrë sistematike dhe organike e që kanë të bëjnë me Papën. Janë rreth 2 mijë faqe, që kanë nevojë të limohen pak nga ana tekniko-redaksionale, por në përgjithësi mund të them se ka përfunduar. Prandaj, i takon tani domenikanit, atë Daniel Olsi, i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, i cili pasi ta ketë shqyrtuar materialin, duhet të japë miratimin e tij për paraqitjen zyrtare. Për momentin është shpejt të japim një datë të saktë për dorëzimin përfundimtar”.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.