2008-03-31 17:48:20

Zbulohen në Gjermani, gjashtë homeli të panjohura të Shën Agustinit.


(31.03.2008 RV)Zbulohen në Universitetin e Erfurtit në Gjermani, gjashtë homeli të panjohura të Shën Agustinit. Ato bëjnë pjesë në një dorëshkrim të shekullit XII, trajtojnë argumente të ndryshme dhe lejojnë që të njihet më mirë veprimtaria pastorale e ipeshkvit të Iponës, i cili jetoi ndërmjet shekullit IV e V e konsiderohet edhe sot një nga Etërit më të mëdhenj të Kishës.
Tri ndër predikimet flasin për dashurinë ndaj të afërmit në formën e lëmoshës dhe për marrëdhëniet ndërmjet ndihmës materiale që bashkësia i jep ipeshkvit të vet e mbështetjes shpirtërore që ky i ofron asaj. Dy homeli të tjera kanë të bëjnë me festat lirtugjike të tre martirëve: Shën Çiprianit dhe shenjtoreve Perpetua dhe Feliçita. Shën Agustini kritikon festimin e martirëve me libacione pa fund, pra me derdhje pa fund të verës për nder të Zotit. Një predikim tjetër flet për ngjalljen e të vdekurve dhe fton të besohet e vërteta biblike e profecisë. Homelitë u zbuluan nga tre studiues austriakë dhe do të botohen më 15 prill.







All the contents on this site are copyrighted ©.