2008-03-31 17:40:41

Mëshira e Zotit bën atë që është e pamundur për forcat e njeriut: kështu Papa Benedikti XVI gjatë Lutjes së Mbretëreshës Qiellore


(31.03.2008 RV)RealAudioMP3 Mëshira e Zotit bën atë që është e pamundur për forcat e njeriut: kështu foli Papa Benedikti XVI gjatë Lutjes së djeshme të Mbretëreshës Qiellore, në Pallatin Apostolik të Kastel Gandolfos. Ati i Shenjtë kujtoi se kjo festë u caktua pikërisht të dielën e dytë pas Pashkëve, nga Papa Gjon Pali II, gjatë Jubileut të vitit 2000. Ishte dita e shenjtërimit të Apostulles së Mëshirës, shën Faustina Kovalska, prandaj edhe festa mori emrin e Mëshirës Hyjnore. Po të dëgjojmë Papën:
“Kur Kishës i duhet të ripohojë një të vërtetë të keqinterpretuar, apo të tradhëtuar, niset gjithnjë e shtyrë nga dashuria e mëshirshme, që njerëzit të kenë jetë e ta kenë me plotësi”.
Mëshira – shpjegoi Ati i Shenjtë – është vetë emri i Zotit, fytyra me të cilën ai iu zbulua njerëzimit në Besëlidhjen e Vjetër e më pas, plotësisht, në Jezu Krishtin, mishërim i Dashurisë krijuese dhe shëlbuese.
“Kjo dashuri e mëshirshme ndriçon edhe fytyrën e Kishës, dhe shfaqet si përmes Sakramenteve, në veçanti në atë të Pajtimit, ashtu edhe në veprat e bamirësisë, në ato të bashkësisë e individuale”.
Gjithçka thotë e bën Kisha tregon mëshirën e dashurinë e Zotit për njeriun, vazhdoi Papa, duke kujtuar se “nga mëshira hyjnore, që pajton zemrat, rrjedh më pas paqja e vërtetë në botë, paqja ndërmjet popujve, kulturave dhe feve të ndryshme”. Benedikti XVI citoi motër Faustinën dhe Papën Gjon Pali II, të cilët ishin që të dy ndjekës të bindur të Jezusit të Mëshirshëm.
“Në mbrëmjen e së shtunës së paharruar të 2 prillit 2005, kur i mbylli sytë për këtë botë, ishte pikërisht vigjilja e së dielës së dytë të Pashkëve, e shumë e vunë re këtë përkim të veçantë, që bashkonte në vetvete përmasën mariane – ishte e shtuna e parë e muajit – dhe atë të Mëshirës Hyjnore”.
Ati i Shenjtë kujtoi papninë e Gjon Palit II, duke e quajtur “të gjatë dhe shumëformëshe” e duke nënvizuar se si “krejt misioni i tij në shërbim të së vërtetës mbi Zotin e njeriun, si edhe në shërbim të paqes në botë, përmblidhet në fjalët që Gjon Pali II shqiptoi në Krakovi-Lagievniki në vitin 2002, në përurimin e Shenjtores së madhe të Mëshirës Hyjnore: ‘Përveç mëshirës së Zotit nuk ekziston asnjë burim tjetër shprese për njerëzit’.
Mesazhi i tij – tha Benedikti XVI dje në Lutjen e Mbretëreshës Qiellore – ashtu si ai i shën Faustinës na çon tek fytyra e Krishtit, zbulim suprem i mëshirës së Hyjit”. Papa dha më pas lajmin për Kongresin e parë Apostolik Botëror që i kushtohet pikërisht Mëshirës Hyjnore dhe që do të mblidhet në Romë, të mërkurën më 2 prill, në 3 vjetorin e vdekjes së Shërbëtorit të Zotit, Gjon Pali II. Ky kongres do të hapet me Meshën Solemne të kremtuar nga Benedikti XVI. E në fund, lutja drejtuar shën Marisë:
“Asaj ia besojmë çështjen e madhe të paqes në botë, që mëshira e Zotit të kryejë atë që është e pamundur për forcat njerëzore dhe të ndikojë në zemra guximin për dialog dhe pajtim”.
Në përfundim të Lutjes, Papa përshëndeti të pranishmit, në mes të të cilëve ishin edhe shtegtarë polakë nga Krakovi-Lagievniki, dhe përmendi si shembull për t’u ndjekur të Lumen e re Çelestina Donati, themeluese e Kongregatës së Bijave të Varfëra të Shën Jozef Kalasancit, e cila u shpall e Lume po dje në Firence. Në mbrëmje, Papa Benedikti XVI u kthye nga Kastel Gandolfo në Vatikan.








All the contents on this site are copyrighted ©.