2008-03-29 18:39:53

Shenjtorët e Javës sipas Kalendarit kishtar


(30.03.2008 RV)RealAudioMP3 Sot Kisha katolike kremtoi të Dielën dytë të Pashkëve, që i kushtohet Mëshirës Hyjnore.
Nesër, e hënë, solemniteti i Lajmërimi i Zotit, na kujton menjëherë përgjigjen që i dha Maria Kryeengjëllit Gabriel: “Ja ku jam, o Zot, u bëftë mbi mua siç është fjala jote”. Zoti nuk vepron kurrë kundër lirisë njerëzore: siç i kërkoi Virgjërës Mari përgjigjen e saj të lirë, ashtu i kërkon edhe secilit nga ne të përgjigjemi lirisht, kur na thërret. Përkujtohen të hënën edhe Shën Balbina, matronë romane e Shën Beniamini, diakon e martir.

Pagëzimi na bën të lindim nga lart, nga qielli e na aftëson të ndërtojmë një Kishë vëllazërore, larg përçarjeve e gjithnjë plot vëmendje për më të ligështit e më nevojtarët. Këtë na kujton të martën liturgjia në festën e shën Venancit, ipeshkëv i Salonës e martir dhe Shën Ugos, ipeshkëv i Grenoblës.

 
Hyjin nuk mund ta ndalojë askush: si pika e ujit që gërryen shkëmbin, ashtu edhe Fjala e Zotit di të hapë rrugë të reja në rrjedhë shekujsh, edhe atëherë kur disa njerëz bëjnë çmos për t’ia mbyllur çdo shteg. Është ky reflektimi i së mërkurës, kur Kisha do të përkujtojë Shën Vinçencin nga Paola, vetmitar, themelues i Urdhërit të Rregulltarëve të Vegjël dhe Shën Marinë egjiptiake.

E enjtja është dita e festës së Shën Sikstit I papë dhe Shën Rikardit, ipeshkëv i Çiçesterit në Angli. Liturgjia e festës na kujton se Zoti është forca e njerëzve të ligësht, që merret sidomos përmes sakramenteve, ndërmjet të cilave, rrëfimi zë një vend shumë të rëndësishëm. Sot njerëzit kanë prirjen t’i shmangen këtij sakramenti, duke harruar se është një nga çastet themelore të takimit tonë me Hyjin e me të afërmin.

Të premten do të përkujtohen Shën Isidori, ipeshkëv i Seviljes, doktor i Kishës dhe Shën Benedikt Moro, françeskan, që na kujtojnë se njeriu nuk duhet vlerësuar për aftësinë prodhuese, por për vlerat shpirtërore, me bindjen se atje ku njeriu nuk ka forcë të veprojë, vepron vetë Hyji.

E shtuna, dita e festës Shën Vinçencit Ferrer, meshtar domenikan dhe Shën Irenës, virgjër e martire, na kujton se në të gjitha bashkësitë mund të ketë tensione, të cilat krijojnë rrezikun e përçarjeve, në se nuk përballohen me vigjilencë, dëgjim e dialog, ashtu si në bashkësitë e para të krishtera.

Vjen pastaj e Diela III e Pashkëve, një hap para drejt Rrëshajëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.