2008-03-29 18:35:41

Papa kthehet në Vatikan pas Lutjes së Mbretëreshës Qiellore në Kastel Gandolfo


(30.03.2008 RV)Sot, në ditën e së Dielës së Bardhë, Papa Benedikti XVI e tha Lutjen e Mbretëreshës Qiellore, që zëvendëson Lutjen e Engjëllit të Tenzot në pritje të Rrëshajve, në rezidencën e Kastel Gandolfos. Në orën 18.30, Ati i Shenjtë u largua me helikopter prej saj për t’u kthyer definitivisht në Vatikan, duke përfunduar kështu pushimin e Pashkëve.

Po sot, Kishës katolike iu shtua një e Lume e re. Është motër Çelestina e Nënës së Zotit (në shekull Maria Ana Donati), themeluese e Kongregatës së Bijave të Varfëra të Shën Jozef Kalasancit. Kremtimi i Meshës së Lumnimit u bë në katedralen e Firences në Itali, nga prefekti i Kongregatës për Çështjet e Shenjtërve, kardinali Hosè Saraiva Martins. Kardinali ishte përfaqësuesi i Atit të Shenjtë në këtë solemnitet.

Sot është e diela kushtuar Mëshirës Hyjnore. Në Kishën e Shpirtit të Shenjtë në Sasia, në Romë, kardinali – sekretar i shtetit të Vatikanit, Tarçizio Bertone kremtoi një meshë me këtë rast. Pikërisht në këtë kishë ndodhet një qendër përshpirtërie e Mëshirës Hyjnore, që mundohet të përhapë kultin e Jezusit të mëshirshëm, duke u frymëzuar nga karizma e shenjtes Faustina Kovalska, Apostulle e Mëshirës Hyjnore. Në përfundim të liturgjisë, besimtarët morën pjesë në procesionin drejt Sheshit të Shën Pjetrit, për të thënë sëbashku me Papën, Lutjen e Mbretëreshës Qiellore. Festa e Mëshirës Hyjnore u caktua nga Papa Gjon Pali II me rastin e kanonizimit të Shën Faustinës, më 30 prill 2000.

E pikërisht duke pasur parasysh figurën e shën Faustinës dhe atë të Gjon Palit II, në Poloni po zhvillohet që nga 27 marsi e do të përfundojë nesër një shtegtim i organizuar nga Shoqata “Të mbrojmë jetën me shën Marinë”. Sot, ky aktivitet arriti kulmin me Kremtimin solemn Eukaristik për Jetën, në Shenjtoren e Mëshirës Hyjnore të Krakovisë, kryesuar nga kardinali – kryeipeshkëv i vendit, imzot Stanislao Xhivish.







All the contents on this site are copyrighted ©.