2008-03-29 18:37:13

E Diela e Mëshirës Hyjnore


(30.03.2008 RV)Sot Kisha kremtoi të Dielën e Mëshirës Hyjnore. Kujtojmë se solemniteti u kremtua për herë të parë nga Gjon Pali II. Në sa vizitonte Krakovinë, më 30 prill 2000, ia besoi mbarë botën Mëshirës Hyjnore, për të cilën njerëzimi ka aq shumë nevojë edhe sot. E nevojë të ngutshme për këtë dhuratë kanë posaçërisht vendet ku sundojnë dhuna, urrejtja e tragjedia e luftës. Kjo ditë i fton të gjithë të krishterët të jenë dëshmitarë të mëshirës së Zotit, të luten që Dashuria Hyjnore të fitojë mbi mëkatin e që e mira ta mundë të keqen.
Me këtë të dielë përfundoi një javë, e cila për Liturgjinë është si një ditë e vetme: “Dita që e bëri Zoti” (Ps. 117,24). Nuk është kohë kronologjike, por shpirtërore, që Hyji e shtriu në indin e ditëve, kur e ngjalli Krishtin prej të vdekurve. Shpirti Krijues, duke ndikuar jetën e re e të pasosur në korpin e varrosur të Jezusit të Nazaretit, përplotësoi veprën e krijimit dhe shënoi kështu fillesën e një fryti të parë: fryt i parë i njerëzimit të ri që, në të njëjtën kohë, është edhe fryt i parë i një bote të re e i një epoke të re. Ky risim i botës mund të përmblidhet me një fjalë vetme: me atë fjalë që përdori vetë Jezusi për t’i përshëndetur dishepujt e për t’u kumtuar fitoren e tij: “Paqja qoftë me ju!” (Lk. 24, 36; Gjn, 19. 21.26). Paqja është dhuratë. Krishti ua la miqve të vet (cfr Gjn 14, 27) si bekim që u përket gjithë njerëzve e mbarë popujve. Nuk është paqe sipas mendësisë së botës, e parë si drejtpeshim forcash, por realitet i ri, fryt i dashurisë së Hyjit, i mëshirës së tij. Është paqja që Jezu Krishti e fitoi me çmimin e gjakut të vet e që ua dhuron të gjithë atyre, të cilët besojnë në Të. “Jezus, besoj në Ty!”: në këto fjalë përmblidhet gjithë feja e të krishterit, krejt besimi në gjithpushtetin e Dashurisë përdëllyese të Hyjit.







All the contents on this site are copyrighted ©.