(30.03.2008 RV)Krishti nuk vjen për me ndejë i mshehun... Për Pashkët e
vitit 1949 dhoma jonë nr. 7, pati nji gzim të papershkrueshem. Na erdhi mbrendë Krishti,
për me na forcue në fe. Qe si ndodhi: At Leon Kabashi, kur i erdh e motra e vet
në takim, i porositi një palë papuçe. Bashkë me motrën i erdh edhe Dava. Dava ishte
nji murgeshë servite e nxjerrun prej Kuvendit. Ajo siellej nëpër popull e kerkonte
lëmoshë për disa meshtarë të burgosun. Gjatë takimit të zhurmshem, At Leoni mujt me
i thanë: “Në papuçe ma bjer edhe borxhin e Pashkve”. Policët e e spiunat që ndiqshin
fjalët, nuk mbrrijten me e kuptue se ai kerkonte kungimin. Mbas dy javësh At Leoni
bani takmin tjeter, në të cilin Dava i tha se do t’ia shlyente borxhin e Pashkve.
At Leoni më kallxoi sekret çka kishte folë me motrën e me Daven. - Un – tha - nuk
kam ndër të gjithë të njajtin besim. Sikur të vijnë ndër papuçe ostet e shugurueme,
a thue mundesh, me ato marifetet tua, me i xjerrë? Ai e dinte se unë ishem praktik -
Mjaft që të hyjnë këtu mbrendë, se atëherë dij un. Për Pashkë At Leoni u takue
me motrën e vet, Rozen, e cila erdh bashkë me Daven. Motra i pruni tesha e ushqime,
ndersa Dava i tha: “Nuk kam mujtë me të pru gja tjeter, vetem kto papuçe, mendoj se
t’i kam ba simbas marakut që ke ti”. Kur shtinë teshat mbrendë, At Leoni më pruni
papuçet: - “Ban si të mundesh” më tha. Në burg ishte e ndalueme rreptësisht çdo thikë,
çdo brisk, çdo metal, deri brisqet e rrojës e gjylpanat, që për ditë ishin të kontrollueme.
Un, në msheftësinë ma të madhe, mbajshem nji gjylpanë dhe nji copë teneqe të mprefun
në nji anë. Mora papuçet për me i shpërthye. Prefsa prej teneqeje nuk ishte e aftë.
Atëherë, me ma të madhin durim, mora gjylpanën që ishte prej çeliku. Ajo e bani punën
e thikës së mpreftë: me majë të gjylpanës un shpërtheva papuçet. Aty mbrendë gjeta
korporalat, në të cilat ishin mbështjellë 50 oste: ndër të dyja papuçet. U ula në
gjunj. Mendova Shejtin Shën Tarçiz, martir i Kungimit në kohët e katakombeve. Korporalat
me 50 ostje ia dorëzova At Leonit. At Leoni e adhroi Krishtin në dukjen e ostjes,
mandej m’i kthei persri mue e më tha: “Mbaji ti, se je ma i shkathtë se un. Jemi në
burg, gjithshka mund ndodhin. Ti rueje Krishtin!”. Un u ndjeva i lum që po më takonte
me persritë Shën Tarçizin, por e ndjejshem vedin se ishem shumë larg Tij. A thue edhe
un mund të vdisshem për Krishtin? Papuçet do t’i qepshem persri kur t’i gjindej
rasti. At Leoni i muer ostet e shugurueme. Krishti nuk kishte ardhë për me ndejë
i mshefun, prandej ai tha: - Vllazen meshtarë! Krishti ka ardhë mes nesh.
Ka ardhë Krishti i ngjallun, për me ngjallë zemrat tona. Ka ardhë me na dhanë forcë
e fuqi me perballue djallin. Sonte Krishtin e kemi këtu, në mes nesh, në ket birucë.
Gjithsecili ta përgatisë zemren e vet që të bashkohet neser me Krishtin. Gjatë
asaj nate na u rrfyem me shoqi-shojnë e ia pergatitem zemrat Krishtit. Zemrat tona
ishin të helmueme prej vuejtjesh e torturash: inadi, djalli, dishiri i hakmarjes.
Këta ishin anmiqët e mdhej të Zotit-dashuni. Atë Leoni më tha: “Merri ostet e shugurueme
e rueji. Nata asht e djallit dhe e territ: gjithçka mund ndodhin. Ti rueje Krishtin
e vedin: në çdo rast të papritun, konsumoji ostjet!”. Un atë natë fjeta me Krishtin
në parzem, aty te zemra. A jam i dejë të jem si Shën Tarçizi?... Fjeta tepër i gëzuem.
Në mëngjesin e ditës së hanë gjithshka u zhvillue normalisht, siç e parashifshin rregullat
e Burgut të Madh... Kur u kryen të gjitha sherbimet dhe u nda racjoni i bukës, para
se të fillojshim ngranien, At Leoni erdh në msheftësi e më muer ostjet. Ia dorëzoi
dom Tomë Lacës. Ai tha vetëm dy fjalë: “Vllazen, Krishtin e kemi këtu, mes nesh, le
ta marrim në zemër atë që asht ba kurban për ne, në sa edhe na jemi gati me u ba kurban
për Te!”. Të gjithë u kunguem me rradhë prej duerve të dom Tomë Lacës: “O Qingj
i Zotit, Ti që shlyen mëkatet e botës, kij mëshirë për ne!” – përsritem në mes
të shekullit të 20-të realisht skenat e katakombeve romake....
At
Zef Pllumi, “Rrno vetëm për të tregue”, Botim i ‘Hyllit të Dritës’, Tiranë, 1995,
fq. 261-263