2008-03-29 18:35:53

Aktivitetet kryesore të Benediktit XVI gjatë javës


(30.03.2008 RV)Të hënën pas Pashkëve, gjatë Lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Benedikti XVI kujtoi martirët e Kishës në vitin e kaluar dhe uroi që dëshmia e tyre të jetë burim shprese për botën. Fjalët e Papës vunë theksin mbi Ditën e lutjes e të ngjinesës për misionarët e vrarë, kremtuar pikërisht të hënën, 24 mars. Këto fjalë i paraprinë edhe vizitës që Ati i Shenjtë do të bëjë më 7 prill në ishullin Tiberin në Romë, me rastin e 40-vjetorit të Bashkësisë së Shën Egjidit. Pikërisht në këtë ishull, ndodhet shenjtorja përkujtimore e martirëve të kohës sonë, e cila do të vizitohet nga Papa. Në të ndodhen relike të çmueshme të shenjtërve, që janë persekutuar gjatë shekullit XX.

Bindja e gëzimi i Ngjalljes së Krishtit, “ngjarje e mahnitshme”, “çelësi i kthesës së Krishterimit”. Ngjallja e Jezu Krishtit ia ka ndryshuar rrjedhën historisë, por ende sot ka disa njerëz që e vënë në dyshim këtë. Në sajë të dokumentave e të përvojës së bashkësisë së parë të krishterë, nuk mund të mohohet e vërteta historike e Ngjalljes së Krishtit. Kështu pohoi Papa Benedikti XVI të mërkurën e kaluar gjatë audiencës së përgjithshme në Vatikan duke folur para afër 30 mijë besimtarësh e shtegtarësh, mbi kremtimin e Pashkëve.
“Në Kishë gjithçka kuptohet duke u nisur nga ky mister i madh i Ngjalljes së Krishtit”, tha Papa e shtoi “Pashkët e Jezusit janë edhe Pashkët tona, sepse në Krishtin e ngjallur na është dhuruar siguria e ringjalljes sonë përfundimtare”.


Më 2 prill bie 3-vjetori i vdekjes së Shërbëtorit të Zotit Gjon Pali II. Në atë ditë, në orën 10.30, Papa Benedikti XVI do të kremtojë një meshë të përshpirtshme në kujtim të tij, ne tremen e Bazilikës së Shën Pjetrit. Në prill të vitit 2007 është deklaruar e mbyllur faza dioqezane e procesit të lumnimit të Papës Vojtila, duke i dorëzuar dokumentat dikasterit përkatës vatikanas, Kongregatës për Çështjet e Shenjtërve.

Ati i Shenjtë po përgatitet për udhëtimin apostolik që do të bëjë në SHBA-të, nga 15 deri më 21 prillin e ardhshëm. Pikërisht për këtë, po të mërkurën, ai priti në audiencë presidentin e Asamblesë së përgjithshme të OKB-së, maqedonasin Srgjan Kerim. Ndër temat e bisedës, edhe vizita në selinë e Kombëve të Bashkuara në Nju Jork. Në udhëtimin e tij, Benedikti XVI do të takojë edhe presidentin amerikan Xhorxh Bush.

Të martën e kaluar, u paraqit në Moskë versioni në rusisht i Enciklikës së Papës Benedikti XVI “Spe Salvi”. Një hap i rëndësishëm përpara në rrugën ekumenike. Pritet ndërkaq, që të fiksohet data e takimit ndërmjet Patrikut ortodoks të Rusisë, Aleksej II dhe kryeipeshkvit të Nënës së Zotit në Moskë, imzot Paolo Peci.


Gjesti i Papës, që pagëzoi gazetarin italian me origjinë egjiptiane, Magdi Allam në Shën Pjetër, në Meshën e Natës së Pashkëve, ka një rëndësi të madhe, pasi pohon në mënyrë të përvujtë, por të qartë, lirinë fetare të çdo individi. Kështu shkruan gazeta e Vatikanit “L’Osservatore Romano” për sakramentin e marrë nga zv.drejtori i gazetës “Corriere della Sera”, i cili nga tradicionalisht mysliman u kthye në katolik. Në një notë të atë Federiko Lombardit, drejtor i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, sqarohet edhe se mendimet e shprehura për Islamin nga Magdi Kristian Allam nuk janë të gjitha të njëjta me ato të Vatikanit.







All the contents on this site are copyrighted ©.