2008-03-29 18:34:05

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(30.03.2008 RV)RealAudioMP3 30 mars: Armëpushimi i Zotit, ditë e detyrueshme e paqes.
Në qytetin e Tuluzës, në jug të Francës, mbarë popullsia është mbledhur për të ndjekur Konçilin e paqes. Janë të pranishëm fisnikët e zonës, murgjërit, zejtarët, fshatarët e priftërinjtë. Në të gjitha konçilet e paqes që mbahen në vend, ndiqet i njëjti parim; zotërinjtë duhet të premtojnë se nuk do t’i trazojnë më të varfërit, duke ua shkatërruar të korrat e duke ua plaçkitur shtëpitë, por do të bëjnë ç’është e mundur për t’i mbrojtur. Këto masa kanë për qëllim të sigurojnë paqen në Francë.
Ndërsa zotërinjtë përgatiten të bëjnë betimin, merret vendim të shtohet edhe një kusht. E në se do të sigurohej një paqe, që do të quhej paqja e Hyjit? Ide ambicioze, por gjeniale! Turma çohet peshë nga entuziazmi. Është vërtetë ide e madhe. Lind kështu, në vitin 1041, armëpushimi i Hyjit. Sapo merret vendimi, ideja e paqes së Hyjit përhapet me shpejtësinë e dritës në të gjithë vendin. Më pas Papa Nikolla II vendos t’ia imponojë mbarë botës së krishterë. Paqja e Hyjit i fton të krishterët të mos bëjnë luftë e të sillen si njerëz të fesë në kohët e forta të vitit liturgjik. Dhe është diçka krejt e natyrshme. Të kujtojmë, për shembull, solemnitetin e Krishtlindjes të kremtuar në një fushë beteje. Si mund të fitohet hiri i Hyjit, në sa vret e pret të të vrasin? E në solemnitetin e Pashkëve, kur Krishti flijohet për paqen e të gjithëve, si mund ta ndjekësh në rrugën e mundimeve, kur i shkakton mundime e plagë të tjerëve? Si mund ta kremtosh Javën e Madhe duke luftuar? Për t’i bërë të krishterët ta rifitojnë kuptimin e festave liturgjike, armëpushimi i Hyjit ndalon luftimet në Kohën e Ardhjes e në atë të Dëftimit të Zotit. Por edhe në kohën që shkon nga Krezhmët, deri në kohën e Rrëshajëve, e cila konsiderohet si kohë e shenjtë. Përveç këtyre, në kujtim të Javës së Madhe, duhet ndërprerë çdo ndeshje me armë, duke filluar nga mbrëmja e së mërkurës e deri të hënën në mëngjes… dmth gjithë javën!
Armëpushimi i Hyjit ka si pasojë të natyrshme paqen. Me që sigurohet armëpushimi në këto periudha të gjata të vitit, bëhet gjithnjë më i vështirë rifillimi i luftës. Paqja e Hyjit frenon kështu edhe grindjet pa fund ndërmjet zotërinjve e kacafytjet e përditshme ndërmjet fqinjve. Por ka edhe një pasojë tjetër: lindjen e institucioneve, të caktuara për të vendosur rendin e drejtësinë.
Atë ditë, në Tuluzë, paqja bëri vërtetë një hap të rëndësishëm përpara!







All the contents on this site are copyrighted ©.