2008-03-27 20:36:55

Të dielën më 7 prill në Romë, Benedikti XVI gjunjëzohet në lutje për Martirë e Kohës Tonë.


(27.03.2008 RV)RealAudioMP3 Një moment lutjeje në varret e dëshmitarëve të fesë, që e kanë paguar me gjak, në kohën e sotme, besnikërinë e tyre ndaj Ungjillit të Krishtit. Këtë do të bëjë Benedikti XVI të dielën më 7 prill në Shenjtoren Përkujtimore të Martirëve të Kohës sonë, e cila është ngritur që nga viti 2002 në ishullin Tiberin në Romë, në sajë të dëshirës së Gjon Palit II. Papa Vojtila ia besoi realizimin dhe kujdesin për shenjtoren Bashkësisë së Shën Egjidit. Ndër reliket e shenjta që gjenden në të, edhe ato të kryeipeshkvit të San Salvadorit, Oskar Arnulfo Romero, vrarë më 24 marsin e 28 vjetëve më parë. Po e kujtojmë, edhe në nderim të sa e sa martirëve shqiptarë të fesë, të cilët humbën jetën të persekutuar e torturuar, gjatë kohës së komunizmit ateist.
“Debe prevalecer la ley de Dios que dice: ‘No matar!’…
Duhet të mbizotërojë ligji i Zotit që thotë ‘mos vra’. (duartrokitje) Asnjë ushtar nuk është i detyruar t’i bindet një urdhëri që është kundër ligjit të Zotit”.
Mikrofoni, që ka regjistruar këto fjalë dhe entuziazmin e atyre që i dëgjuan dhe ndjenë në zemër ngrohtësinë e tyre, nuk e di se ai që i ka shqiptuar ka nënshkruar dënimin e tij me vdekje. Pas një dite, pas një muaji, pas një viti, s’ka rëndësi: dikush ka vendosur ta verë në shënjeshtër këtë njeri të guximshëm, që është bërë një armik i rrezikshëm i padrejtësisë dhe i pushtetit që e mbështet. Ai njeri është Oskar Arnulfo Romero, është kryeipeshkvi i San Salvadorit dhe është nënvlerësuar nga ata që komandojnë: dukej një meshtar i përvujtë dhe tradicionalist, por është shndërruar në megafon, që kërkon të drejta dhe tokë për fshatarët, shkollë e asistencë shëndetësore për familjet e tyre, dhe drejtësi. Drejtësi për një vend ku disa miliona banorë janë “peng” e rreth 30 familjeve, që përdorin ushtrinë për të mbrojtur privilegjet e tyre dhe masakrojnë ata që e ngrenë zërin për të varfërit.
“Në emër të Zotit e në emër të këtij populli të vuajtur, vaji i të cilit ngrihet deri në qiell çdo ditë e më shumë, ju përgjërohem, ju lutem, ju jap urdhër – në emër të Zotit – të ndalojë shtypja!” (duartrokitje)
Ai njeri me veladon, me syze të mëdha e me kësulën ngjyrë purpuri duhet të vdesë, vendos një ditë prej ditësh pushteti. Duhet të ndërpriten homelitë e tij pa fund, denoncimet e vazhdueshme të dhunës që përgjak El Salvadorin, duke e çuar vdekjen deri brenda kishave. E pikërisht kjo ndodh më 24 mars 1980. Imzot Romero po kremton meshën e orës 6 pasdite. Në errësirën e fundit të kishës, një person merr mirë në shënjestër ipeshkvin që ngre kelkun. “Në këtë Kelk – po thoshte imzot Romero – vera bëhet gjaku, që ka qenë çmimi i shpëtimit. Na dhëntë ky flijim i Krishtit guximin për të ofruar korpin e gjakun tonë për drejtësinë e paqen e popullit. Ky çast lutjeje na bashkoftë fort në fe e në shpresë”. Pastaj, dy të shtëna të shurdhëra jehojnë në mes të qetësisë dhe gjaku i flijimit të Krishtit përzihet me atë të një martiri të ri.
Tre vjet pas vdekjes së tij tragjike, Papa Gjon Pali II u lut mbi varrin e imzot Romeros, gjatë udhëtimit të tij të tretë apostolik në Amerikën Latine. Në vitin 1997 u hap Çështja e Lumnimit të ipeshkvit salvadorenj, Oskar Arnulfo Romero.







All the contents on this site are copyrighted ©.