2008-03-27 20:37:21

Reflektim i drejtorit të Sallës së Shtypit të Vatikanit mbi kritikat islamike kundër pagëzimit të Magdi Allam


(27.03.2008 RV)Vazhdon debati mbi pagëzimin e gazetarit italian me origjinë egjiptiane, zv.drejtorit të gazetës “Corriere della Sera”, Magdi Kristian Allam nga Papa Benedikti XVI në Natën e Pashkëve. Ndër reagimet e botës islamike shënojmë atë të profesor Aref Ali Najed, drejtor i Qendrës Mbretërore të Studimeve Islamike Strategjike dhe figurë kyç në dialogun islamo-kristian të filluar me letrën e 138 të urtëve myslimanë drejtuar Atit të Shenjtë. Një notë kritike ajo e tij, së cilës i është dhënë rëndësi e madhe nga Vatikani, dhe për të cilën përgjigjet në mikrofonin tonë drejtori ynë i përgjithshëm, njëkohësisht drejtor i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi…RealAudioMP3
Para së gjithash, pohimi më domethënës është pa dyshim konfirmimi i vullnetit të Autorit për të vazhduar dialogun e thellimit të njohjes së anasjelltë ndërmjet myslimanëve dhe të krishterëve, dhe për të mos vënë në diskutim rrugën e filluar me korrespondencën e me kontaktet e një viti e gjysëm ndërmjet të urtëve myslimanë dhe Vatikanit, në veçanti nëpërmjet Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar. Kjo rrugë duhet të vazhdojë, është me rëndësi të jashtëzakonshme, nuk duhet ndalur, dhe është përparësi në krahasim me episode, që mund të jenë objekt keqkuptimesh.
Së dyti, ta pagëzosh një person do të thotë ta dish që ai e ka pranuar fenë e krishterë lirisht dhe sinqerisht, në ligjet e saj themelore, të shprehura nëpërmjet “Besojmës”. Kjo e fundit shpallet publikisht gjatë pagëzimit. Natyrisht, çdo besimtar është i lirë të ruajë idetë e veta mbi një gamë të gjerë çështjesh e problemesh, për të cilat ekziston pluralizmi i ligjshëm i ideve ndërmjet të krishterëve. Të pranosh në Kishë një besimtar të ri nuk do të thotë se duhen pranuar edhe të gjitha idetë dhe qëndrimet e tij, sidomos në tema politike ose shoqërore.
Pagëzimi i Magdi Kristian Allam është një rast i mirë për ta theksuar akoma këtë parim themelor. Ai ka të drejtë të shprehë idetë e tij, që mbeten personale, pa u bërë në asnjë mënyrë shprehje zyrtare e qëndrimeve të Papës dhe të Selisë së Shenjtë.
Së treti, liturgjia e Natës së Pashkëve u kremtua si çdo vit dhe simbologjia e dritës dhe errësirës është gjithnjë pjesë e saj. Sigurisht është një liturgji solemne dhe kremtimi në Shën Pjetër nga ana e Papës është një rast i veçantë. Por të akuzosh për “manikeizëm” shpjegimin e simboleve liturgjike nga ana e Papës – shpjegim, që ai e bën përherë e në të cilin është mjeshtër – do të thotë të mos kuptosh ndoshta liturgjinë katolike. Por kjo nuk mund të shërbejë si kritikë për fjalën e Benediktit XVI.
Së fundi, të na lejohet të shfaqim keqardhjen për çka profesor Najed thotë për edukimin në shkollat e krishtera në vendet me shumicë myslimane, duke na paraqitur rrezikun e proselitizmit. Na duket se tradita e madhe e impenjimit edukativ të Kishës katolike edhe në vendet me shumicë jo të krishterë (jo vetëm në Egjipt, por edhe në Indi, Japoni etj.), ku që prej shumë kohësh shumica e studentëve të shkollave dhe universiteteve katolike nuk janë të krishterë e kanë mbetur të tillë, pavarësisht nga mirënjohja për edukatën e marrë, meriton vlerësime të tjera. Nuk mendojmë se Kisha sot meriton akuzën për mungesën e respektit për dinjitetin dhe lirinë e personit. Të tjera janë dhunimet e këtij dinjiteti, të cilave u duhet dhënë përparësi. E ndoshta edhe për këtë arësye, Papa mori parasysh rrezikun e këtij pagëzimi: deshi të pohojë lirinë e zgjedhjes së fesë që rrjedh nga dinjiteti i njeriut.
Sidoqoftë, profesor Aref Ali Najed është një interlokutor për të cilin vazhdojmë të kemi një vlerësim të madh e me të cilin ia vlen gjithnjë të konfrontohesh me sinqeritet. Kjo na lejon të kemi besim në vazhdimin e dialogut.







All the contents on this site are copyrighted ©.