2008-03-26 16:24:39

365 ditë. Sot Odiloni i Klynì (Cluny) e lutja për të vdekurit me 2 nënëtor


(26.03.2008 RV)RealAudioMP3 Fshatarët, të cilët punojnë ndër ara, ngrenë kokën të shqetësuar. Të zhytur në mjegullën e akullt që mbështjell fushën, dëgjojnë tingëllimën e këmbanave të abacisë së Klynit, aty pranë. “Këmbanat? Po sot s’është e dielë’ – flet me vete një fshatar tejet i çuditur.
“Ndoshta ka vdekur ndokush e po i kremtojnë salikimet” – ia pret me dyshim një tjetër.
“Jo, jo, s’është e mundur, këmbanat tingëllojë si për festë!”.
“Çudi për t’u çuditur. Tingëllimi është i gëzueshëm, e njëkohësisht i trishtuar” - përgjigjet i pari.
“Sido që të jetë, po tingëllojnë të gjitha përnjëherësh: të gjitha këmbanat e abacisë!”.
Në këtë ditë të ngrirë të vitit 998, Odiloni, abati i Klynit, Epror i manastirit, nis një traditë, që vijon edhe sot e kësaj dite. Urdhëron murgjërit t’u bien të tëra këmbanave pasditën e festës së të gjithë shenjtorëve e të kremtojnë meshë për shpirtrat e të vdekurve, deri në mbrëmjen e 2 nëntorit. Deri në këtë çast, Kisha ishte lutur vazhdimisht për të vdekurit, por pa caktuar datë të posaçme për t’i kujtuar të dashurit që janë nisur drejt shtëpisë së Atit.
Odiloni, së bashku me Kishën, ka bindjen se jo të gjithë të vdekurit shkojnë drejtpërdrejtë në qiell, pranë Hyjit, e se disa prej tyre kanë nevojë për lutjet tona. Në qiell mund të shkohet vetëm pasi njeriu çlirohet nga të gjitha mëkatet, sepse në qiell gjithçka është e pastërt. Njeriu ndodhet para Hyjit. Ç’gjë e jashtëzakonshme! Po Hyji është aq i bukur e i përkryer, sa të vdekurit nuk mund ta shikojnë, në se shpirti i tyre është përplot me mëkate. Vetëm kur të jenë çliruar nga mëkatet, shkojnë në qiell, ku fillojnë të luten për të gjallët. Odiloni ka bindjen se është pikërisht kështu. Përveç kësaj, ka edhe një farë ndikimi në Kishë: është mik i ngushtë i Papës Silvestri II. Njeh mirë edhe disa mbretër e perandorë të kohës, si perandoresha Adelaide, që kryeson mbarë Perandorinë e shenjtë romake gjermanike. E kështu, sapo nis ta kremtojë festën e të vdekurve në manastirin e vet, ideja përhapet në mbarë Evropën. Ideja e Odilonit është vërtetë e bukur, ndonëse pakëz misterioze, si të gjitha gjërat që kanë të bëjnë me vdekjen. Por duhet pritur shekulli XVI që papa ta bëjë purgatorin dogëm.Sidoqoftë, festa e krijuar nga Odiloni nuk është aspak e kobshme, sepse i ndihmon të vdekurit të shkojnë në lumninë e amshuar. Për këtë arsye këmbanat që dëgjojnë fshatarët, kumbojnë me tinguj të gëzueshëm, por edhe të trishtueshëm njëherit.







All the contents on this site are copyrighted ©.