2008-03-25 17:02:55

Dom Ndre Zadeja në 63 vjetorin e pushkatimit


63 vjet më parë u pushkatua dom Ndre Zadeja meshtar, poet e atdhetar i flakët.Dom Ndre Zadeja lindi në Shkodër, më 3 nëntor 1891. Ndoqi shkollën fillore dhe të mesme në Seminarin papnor shqiptar të Shkodrës. Teologjinë e kreu në Innsbruck të Austrisë. Kremtoi një ndër meshët e para të tijat në Shqipëri në shenjtëroren e Zojës së Këshillit të Mirë në Shkodër (rrëzë kalasë së Shkodrës). Shkroi shumë drama. Qe sekretar i Arqipeshkëvit të Shkodrës dhe pastaj famullitar i famullive të ndryshme të dioqezës. Ka qenë i pari meshtar që është pushkatuar në Shkodër nga komunistët, që sapo kishin hyrë në pushtet, me 25 mars 1945. Akuza ishte se kishte ndihmuar në mënyrë të fshehtë meshtarin dom Lazër Shantoja. Qe shkrimtar i mirë, meshtar i ndershëm dhe i zellshëm – sidomos në mësimin e katekizmit, bari i butë e i devotshëm i famullive që i qenë besuar.

Dom Ndre Zadeja është një nga të dyzetë martirët, për të cilët vijon faza dioqezane e beatifikimit. Qe martiri i parë i furisë komuniste mbi Kishën katolike në Shqipëri; urojmë të jetë ndër të parët të Lum, që do të ngjiten në nderimet e elterit.

Dom Ndre Zadeja, klerik, dramaturg, poet e prozator, lindi në Shkodër Më 3 nëntor 1891. Tri klasët e para të fillores i kreu në një shkollë italiane. Nga klasa e katërt e më tej, studioi pranë Kolegjës Saveriane, drejtuar nga jezuitët. Studimet e larta i kreu në Insbruk të Austrisë më 1916. Po në këtë vit u shugurua prift. U kthye menjëherë në atdhe e pikërisht në vendlindje. Pati fatin ta çonte Meshën e parë në kishën e Zojës bri kështjellës Rozafa, ku nderohej e nderohetedhe sot, Zoja e Këshillit të Mirë, Pajtore e shqiptarëve. Ishte një ditë e bukur pranvere, 26 prill 1916.

Falë aftësive e kulturës së tij të gjërë, nisi shërbimin si sekretar i Imzot Serreqit dhe si zëvendës-famullitar, deri në vitin 1922. Në këtë vit u emërua famullitar i Malit të Jushit, prej nga vijoi shërbimin meshtarak në Bogë, për të kaluar më pas në Shkrel e Sheldi. U arrestua në sa shërbente në këtë fshat më 4 shkurt 1945. U pushkatua pa gjyq më 25 mars 1945 njëherësh me disa seminaristë e laikë katolikë, me akuzën se kishte fshehur bashkëvëllaun, një nga figurat më të ndritura të Shkollës letrare të jezuitëve, Dom Lazër Shantojën, edhe ai në fazën dioqezane të lumnimit.

Më 25 mars 1945 Shkodra e tmerruar asistonte pushkatimin e parë të një kleriku katolik, të cilin e kishte njohur e dashur me gjithë shpirt për shërbimin e tij meshtarak, për atdhetarinë e tij e për talentin e shquar që gjeti shprehjen e vet në melodramat e para të letërsisë shqipe "Ora e Shqypnisë", "Hijet e zeza"; "Rrethimi i Shkodrës", "Rozafa" etj, të cilat u vunë në skenën e teatrit të jezuitëve në Shkodër e më vonë edhe në teatrin e Tiranës e vijuan të lexoheshin, edhe kur nuk mund të viheshin më në skenë, sepse të ndaluara nga regjimi komunist.

Në rrugët e rrugicat e shtrembëra të Shkodrës, njëkohësiht me breshërinë e mitrolozave të diktaturës, që këputnin një nga lulet më të bukura të letrave tona, për ta lënë vetëm në kërcej të thatë traditën katolike, u ndje zëri i lebetitur: "Kanë grí Dom Ndrenë!".

E tani, kur për emrin e tij flitet si për atë të një të lumi të ardhshëm, urojmë që një ditë jo të largët, në rrugët e rrugicat e Shkodrës plakë, që pas më se një gjysëm shekulli janë shtrembëruar edhe më keq se atë ditë kur plumbat i grabitnin një nga bijtë më të mirë, të ndjehet një zë i hareshëm. "Po naltohet në eltér Dom Ndreu, martiri që lau me gjak një tokë të martirizuar: atë të Shkodrës! Lutu për né!"Martirin e parë të Kishës katolike shqiptare të katakombave po e përkujtojmë sot me tingujt e melodramës "Rrethimi i Shkodrës" shkruar prej tij e muzikuar nga dom Mikel Koliqi.
*****
Ndre Zadeja (1891-1945)
Kumbona e Sheldîs



Në qelën e Sheldîs gjindet nji kumbonë e vjetër, por e plasun, e shkrîme në vjetin 1583, me këto germa: Z. B. TON. F. MCLXXXIII. Ká nji stemë në të cillin shifet nji hyll a lule me tetë maje e dy bishta, si edhe ftyrat e dy Shêjtnave.
Tue ia lane studjuesave t’arkeologjís shvillimin e atyne germave, po na kândet me pershkrue gojdhanen e kësajë kumbonë, rrumi i së cillës, i shkurtuem prej nji magjypi në kohën e salvimit fetár prej anes së Vezirave, gjindet endè sot në dorë t’onë, e provon vertetsín e asajë gojdhane. Në vjetin 1775 Vizitatorit apostolik Emz. Gasprit, i rá në sy kjo kumbonë, e shkrou per tê se “mbi nji kishëz vetmitare d.m.th. shêjtnore lerg banuesave, të ruejtun ende mjeft mire, ká pasë si per mrekulli  nji kumbonë nja 20 kg, tinglli fort të kandshëm.” Nji prift trim e i kujtueshëm prej Sheldîje e pështoi prej duerve dhunuese të fanatikve.
[...]
Ishin kohnat e Vezirit
qi dhunoj hiri e pa hiri,
streha shêjte e kuminare,
çka kjè besë e fé shqiptare...
Me’m jetima, pa kumbonë
Dyqind vjet s’ju ndi jehonë
brunxit shêjt, veç n’at Sheldî,
kumboj lét per mrekullí...
Prifti i vjetër, trim me orë,
çueka thirrsat n’Vjerdhasorë,
(vjerdhasort’ miqt e Vezirit
shkurtojn’ krena mbas dishirit).
Na vên’ thirrsat doren n’parzem:
“Jeni t’thirrun t’hanen n’darzëm:
Prifti i jon’ pá shkues, pá shkuese,
t’hânen nade zblon ‘i nuse.”
Ç’po vlon pushka krep e n’krep,
Priten desh e rrxohen sjep,
vjami i deshvet dy gisht trashë
vlojn’ kazanat n’farken “Bashë”.
Ka dal’ Prifti e po rri n’derë,
Vjerdhasorve po u bâ nderë,
po u bâ nder’, po u rri në kambë,
dý topanxhet nën dollamë.
Dý topanxhe, dy kumarë,
kjén ’i nder’ per prift shqiptár!
Ndezet kânga neper ajr,
vjerdhasort’ i a bâjn’: “Per hajr!”
Hahet, pihet, sofra çohet,
nusja e priftit po e qet zân’:
(kerset pushka ân’ e m’ânë)
dâng, e dâng... e n’vesh t’Vezirit.
“Kush âsht aj qafir qafirit
(nuk kam t’ngim’ m’e pá n’çengel
qi per báll aj sot mue më del?
Disá vjet, mâ s’kan kalue,
njimí kish’ per tok’ jan’rrxue,
Kaq guxim nji prift sot pat
Me at kumbon’ m’u çue lugat?”
“Shqipëtar’ na jém si t’part,
Vezir, priftin mos e çart,
s’çartet mik pá i çart kumarë,
Njikshtû e ká kombi shqiptarë.”
Foli Vjerdha, pá ngurrue.
Dyqind vjet na ké ushtue,
dyqind vjet’ kumbon’ jehove,
shoqet n’dhé, ti m’kamb’ qindrove,
vezirlíve u prishe gjumin,
nji magjyp ta shkurtoj rrumin...
[...]
D. Ndré Zadêja
(prej melodramít kombtár “Ruba e kuqe”)
Marrë nga “Kumbona e s’Dielles”, Kallnduer 1938, nr. 1.
(marre nga Albanova)







All the contents on this site are copyrighted ©.