2008-03-24 15:43:27

Benedikti XVI:Ngjallja e Krishtit burim shprese për botën.


(24.03.2008 RV)Sot Papa e kremtoi lutjen e Mbretëreshës Qiellore nga Kastel Gandolfo, ku ndodhet që dje mbasdite e ku do të qëndrojë deri në fund të javës.
Ati i Shenjtë e nisi lutjen me shpjegimin e fjalës ‘Aleluja’, brohori që jehoi përsëri në Kishë në Natën e Pashkëve, pas ditëve të gjata të Krezhmëve.
“Aleluja, fjalë hebraike e njohur universalisht – shpjegoi Papa – do të thotë ‘Lavdërojeni Zotin’. E në ditët e kohës së Pashkëve, kjo ftesë për lavdërim kalon nga goja në gojë, nga zemra në zemër”.
Rijehon duke u nisur nga një ngjarje krejt e re: nga vdekja e ngjallja e Krishtit – tha Ati i Shenjtë – duke kujtuar, në vijim, se për herë të parë Aleluja lulëzoi në zemrat e nxënësve e nxënëseve të para të Jezusit ditën e Pashkëve në Jeruzalem… Na duket sikur i dëgjojmë edhe sot zërat e tyre, zërin e Marisë së Magdalës, e para që e pa Zotin e ngjallur në kopshtin pranë Kalvarit; zërat e grave, që e takojnë, nësa vraponin, të trembura e të lumtura, për t’u dhënë apostujve lajmin e varrit të zbrazët; zërat e dy dishepujve, që ecnin drejt Emmausit me fytyra të trishtuara e që më pas rikthehen në Jeruzalem plot gëzim, sepse dëgjuan fjalën e tij dhe e njohën ‘në të thyer të bukës’. Pastaj zërat e njëmbëdhejtë Apostujve, që po atë natë e panë mes tyre në çenakull, e Ai u tregoi plagët e gozhdave e të heshtës e u tha: “Paqja qoftë me ju!”. Kjo përvojë e shkroi një herë e përgjithmonë Alelujën në zemrën e Kishës – theksoi Ati i Shenjtë.
Më pas shpjegoi edhe lutjen që të të krishterët e thonë gjatë gjithë Kohës së Pashkëve, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot: antifonën mariane të Mbretëreshës qiellore. Teksti, krejt i shkurtër, ka formëm e një kumtimi: është si një lajm i ri që i vjen Marisë, të cilin këtë herë nuk e sjell Engjëlli, por të krishterët, që e ftojnë të gëzohet, sepse i Biri, që e mbajti në prehër, u ngjall, ashtu siç kishte premtuar.
“Në të vërtetë, ‘gëzohu’ ishte fjala e parë që i drejtoi Marisë Lajmëtari qiellor në Nazaret. E kishte këtë kuptim: ‘Gëzohu, o Mari, sepse Biri i Hyjit është duke u bërë njeri në Ty!” .
E tani – shtoi Papa – pas dramës së Mundimeve, jehon përsëri ftesa për t’u gëzuar: Gaude et lǽtare, Virgo Maria, alleluia, quia surrexit Dominus vere, alleluia” – Gëzohu e ngazëllehu, o Virgjër Mari, aleluja, sepse Zoti vërtetë u ngjall, aleluia!
E pas lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Papa i ftoi të gjithë besimtarët t’i hapin zemrat, që aleluja e Pashkëve të lërë aty gjurmë të thella e të mos mbetet thjeshtë fjalë, por të bëhet shprehje e vetë jetës së secilit: jetë njerëzish që i ftojnë të gjithë për të lavdëruar e Zotin dhe e bëjnë këtë si ‘të rilindur’.
Në përfundim të lutjes së Mbretëreshës Qiellore nga balkoni i selisë papnore të Kastel Gandolfos, Benedikti XVI falënderoi autoritetet dhe popullsinë vendase për mikpritjen e përherëshme, u uroi gjithë të pranishme ta kalojnë gëzuar të Hënën e Engjëllit dhe përsëriti urimin e gëzueshëm të Pashkëve: Për shumë vjet!







All the contents on this site are copyrighted ©.