365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.Çlirimi i Jeruzalemit: lotët
pas fitores
25 mars: Çlirimi i Jeruzalemit: lotët pas fitores: Tibaldi, shqytari i Dukës
Gofredi i Bulionit, qan me dëshpërim. Memzi i ka mbajtur lotët gjithë ditën. Është
munduar ta frenojë veten, duke përsëritur pambarimisht: “Tibald, je duke u bërë kalorës.
Tibald, është turp për ty të qash, si ndonjë çupkë e llastuar”. Po këtë mbrëmje
të vitit 1099, duke ndjekur me sy diellin që perëndon mbi kullat e bardha të Jeruzalemit,
nuk mund të përmbahet më. Lëshohet plotësisht në krahët e dhimbjes. Zotëria i tij,
Gofredi, është njeri i ashpër. E duhet thënë se kjo është e natyrshme. Kryeson një
kryqëzatë, prandaj nuk mund të mos jetë autoritar. Por kur shikon Tibaldin, zbutet
fare: megjithëse është i veshur si luftëtar, shqytari i tij është gati fëmijë. “Tibald,
pse je kaq i trishtuar?”. “Zotëri, kur u nisëm nga Italia, isha tepër i kënaqur
se po shkoja të çliroja Jeruzalemin, qytetin në të cilin vdiq Jezusi. Nuk është e
drejtë të mbetet në duart e turqëve, që e urrejnë Zotin tonë. Por, pse gjithë këto
masakra, për të hyrë në qytet? Jam i sigurtë se Krishti nuk është aspak i kënaqur,
kur sheh gjithë këtë gjak!”. Gofredi vë njërën dorë mbi shpatën e Tibaldit: “Të
pafajshmit janë zëri i së vërtetës”, mendon me vete. Edhe Gofredi është neveritur
nga kjo luftë e egër. “Tibald, duhet pranuar se, për fat të keq, të dhjetëmijë
ushtarët e ushtrisë sonë, nuk janë të gjithë shenjtorë. Mbi uniformat e tyre kanë
një kryq të kuq, simbol i kalorësve të krishterë, por pavarësisht nga simboli i shenjtë,
disa prej tyre sillen si kusarë. Si në kampin tonë, ashtu edhe në atë të armikut,
ka njerëz të drejtë e njerëz barbarë!” “Zotëri, banorët e qytetit kanë vdekur të
gjithë?”. “Qetësohu, Tibald, kanë vdekur shumë më pak, sesa mendon ti. Shumë prej
tyre ia dolën mbanesh të iknin nga plasat që kemi hapur në muret e qytetit. Të tjerë
janë pengje, por do t’ua kthejmë menjëherë familjeve të tyre, me një farë shpërblimi”. “Zotëri,
tani që jeni bërë mbreti i Jeruzalemit, ç’mendoni të bëni me qytetin?”. “Në Bibël
Hyji i premton Jeruzalemit lumninë. I thotë: “Popujt do të ecin në dritën tënde!”
Dëshiroj që nën sundimin tim, Jeruzalemi të ndrisë si dritë që i tërheq mbarë popujt.
Turqit donin ta shkimbnin këtë dritë, kupton? Kur qyteti qe në duart e tyre, askush
nuk ishte i sigurtë. Shtegtarët që arrinin nga Evropa, vinin në rrezik kokën kur luteshin
mbi varrin e Krishtit. Tani mund të vijnë në masë. Jeruzalemi do të ndrisë më shumë
se kurrë. A s’ishte kjo ëndrra jote, kur le pas Francën? “Po, zotëri”- përgjigjet
djaloshi e sytë i shkëlqejnë. Por jo nga lotët!