(23.03.2008 RV)Nxënësit e Emmausit
takohen me Krishtin e ngjallur: ata nuk e dinë kush është ky “Shtegtar misterioz”,
e megjithatë fjalët e tija ua ngrohin zemrat aq, sa t’i luten: “Rri me ne”. E njohin
më pas në të thyer të bukës. “Fjala e Zotit e Buka e Eukaristisë – mister e dhuratë
e Pashkëve, mbeten në shekuj kujtim i përhershëm i mundimeve, i vdekjes dhe i ngjalljes
së Krishtit!” E edhe ne, sot, në ditën e Pashkëve të ngjalljes, së bashku me të gjithë
të krishterët e botës përsërisim: Jezus i kryqëzuar e i ngjallur, rri me ne!” “Rri
me ne, mik besnik e mbështetje e sigurtë e njerëzimit në shtegtim nëpër rrugët
e botës! Ti, Fjalë e gjallë e Atit, jepu shpresë e besim atyre që e kërkojnë kuptimin
e vërtetë të jetës së tyre. Ti, Bukë e jetës së pasosur, ushqeje njeriun e uritur
për vërtetësi, për liri, për drejtësi, për paqe. Rri me ne, Fjalë e gjallë e Atit, mësona
fjalë e gjeste paqeje: paqe për tokën e shuguruar nga gjaku yt; paqe për Vendet
e Lindjes së Mesme e të Afrikës, ku vijon të rrjedhë gjaku rrëké: paqe për mbarë
njerëzimin, mbi të cilin varet përherë rreziku i luftërave vëllavrasëse. Edhe
ne, burrat e gratë e mijëvjeçarit të tretë, kemi nevojë për ty, o Zot i ngjallur! Rri
me ne deri në fund të kohëve. Bëj që progresi material i popujve të mos i errësojë
kurrë vlerat shpirtërore që janë shpirti i qytetërimeve të tyre. Na ndihmo,
të lutemi, në shtegtimin tonë. Besojmë në Ty, në Ty shpresojmë, sepse vetëm
ti ke fjalët jete të pasosur…