2008-03-22 16:15:14

U kremtua sot paradite në Jeruzalem, Mesha e Ngjalljes së Zotit.


(22.03.2008 RV)Në orën 6. 30, së bashku me rregulltarët françeskanë e me ministrantët, i paraprirë nga personalitetet e vendit, veshur me rrobat madhëshotre tradicionale, Patriku-ndihmës, imzot Fuad Tval, hyri në bazilikën e Varrit të Shenjtë, ku kryesoi kremtimin e Ngjalljes së Zotit. Kjo Meshë në orët e para të paradites, mund të duket se i bie ndesh traditës së Kishës, që e kremton në mesnatë ngjalljen e Zotit. Duhet sqaruar, prandaj, se kremtimi u mbajt thjeshtë për shkak të caktimit të turneve e të orareve, të cilat u krijojnë mundësinë të hyjnë në këtë bazilikë, që është zemra e krishtërimit, të gjithë të krishterëve të Tokës Shenjte (kujtojmë se në Tokën Shenjte banojnë të krishterë grekë-ortodoksë, latinë e armenë). I çuditshëm, por edhe i këndshëm ky kremtim me të cilin, pikërisht në Bazilikën e Ngjalljes, u hapën kremtimet e Pashkëve. Ishte kisha e parë e Jeruzalemit (e ndoshta edhe e botës), që kremtonte Nënën e të gjitha netëve të lutjes. Jehoi në këtë vend të shenjtë për të gjithë të krishterët, Prekoni, himni i lashtë që këndon fitoren e Zotit mbi vdekjen e mbi mëkatin. Një kor madhështor, i përbërë nga mijëra shtegtarë e besimtarë prej mbarë botës, mori pjesë në liturgjinë e kremtuar nga dhjetra meshtarë, rreth elterit të vendosur pikërisht para Varrit të zbrazët. Edhe një herë, sot paradite, u ndje fuqimisht universaliteti i Kishës së bashkuar, në pritje vigjilente e të hareshme, pranë Anastasis, pikërisht në trojet e kopshtit të dikurshëm, ku ndriti drita e Ngjalljes.








All the contents on this site are copyrighted ©.