2008-03-22 16:47:00

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(22.03.2008 RV)22 mars: Ulrihu: shenjtërimi i parë në histori.
“Në muzgun e një dite të enjte, Ulrihu darkonte me Konradin, ipeshkvin e Kostancës. E çka të çudit, është se dy ipeshkvijtë e kaluan gjithë natën duke folur për Hyjin para tryezës, pa i prekur fare gjellët që ishin shtruar për darkë. Harruan edhe të hanin”.
Papa Gjoni XV vë buzën në gaz. Tregimi i Liutolfit, ipeshkvit të Augustës (qytet në Gjermaninë e sotme), pasardhës i Ulrihut, e bën të zbulojë një njeri të dashuruar me Hyjin. Të krishterët e mbledhur rreth Papës, që ndjekin tregimin e Liutolfit, entuziazmohen në kulm.
“Prisni, më e bukura vjen mbrapa. Dita, pasi ndodhi ngjarja që ju tregova, ishte e premte, ditë në të cilën, siç e dini, ne të krishterët nuk hamë mish, për kujtim të Mundimeve të Krishtit. Ipeshkvijtë tanë po vijonin bisedën, kur ia behu një kasnec i Dukës së Bavarisë. Duke dashur ta falënderojë për shërbimin, Ulrihu, i çkujdesur, i zgjati një pjatë përplot me mish. Por kasneci, më i keq se kolera, duke dashur ta dëmtojë ipeshkvin e shenjtë, vrapon t’i tregojë gjithë botës se Ulrihu i kishte dhënë të hante mish pikërisht në ditën kur kujtohen Mundimet e Krishtit. Si provë, lajmëtari nxjerr nga torba një copë mish… por… çudi…mishi ishte shndërruar në peshk!”.
Tani Gjoni XV qesh me gjithë zemër, duke menduar fytyrën e lajmëtarit para një mrekullie të tillë. E në se Zoti e bëri këtë mrekulli, do të thotë se ipeshkvi i Augustës, njëzet vjet pas vdekjes, meritonte një trajtim të veçantë. Për ta nderuar, më 3 shkurt të vitit 993, Papa i shkruan një letër të gjithë ipeshkvijve, për t’u kumtuar se Ulrihu, që atë çast, bënte pjesë në radhët e shenjtorëve.
Kanonizimi i Ulrihut, apo njohja e shenjtërisë së tij, mbetet ngjarje historike: është hera e parë që papa bën një deklaratë të tillë zyrtare mbi shenjtërinë e një njeriu. Deri në këtë çast, të krishterët e jashtëzakonshëm shpalleshin shenjtorë në mënyrë informale. Njiheshin nga vetë populli ose nga ipeshkvi i vendit, ku kishin jetuar. Natyrisht, pas vdekjes. Duke nisur nga Ulrihu fillon një praktikë e re. Që nga kjo kohë e tutje do të ishte papa ai, që do të vendoste në se një burrë ose një grua meritonin të nderoheshin si shenjtorë. Prandaj, kur Kisha dëshiron të shpallë shenjt ndonjë nga besimtarët e vet të jashtëzakonshëm, duhet t’i dorëzojë papës një material për jetën e kandidatit, ashtu si bëri Liutolfi, që i dorëzoi Gjonit XV materialin e parë të kanonizimit në histori. Papa, pastaj, përmes njerëzve të ngarkuar prej tij, e vërteton, në vendin ku ka jetuer kandidati, në se ç’është shkruar në praktikë, përkon me të vërtetën. Në se është ashtu siç shkruhet, në se jeta e njeriut është vërtetë shembullore, atëherë papa shkruan një bulë, dmth një letër solemne.
Kështu sot në listën e shenjtorëve shtohen radhët vetëm me bekimin e papës.







All the contents on this site are copyrighted ©.