2008-03-20 18:59:09

Papa në Meshën e Bagmit: Meshtarët ta mbajnë botën zgjuar për Hyjin.


(20.03.2008 RV)RealAudioMP3 Meshtarët janë të thirrur ta mbajnë botën zgjuar për Hyjin: nuk duhet të kumtojnë kurrë vetveten, as të shpikin një Kishë sipas dëshirave të tyre, por të jenë shërbëtorë në vërtetësi e në dashuri. Këtë theksoi sot paradite Papa në Bazilikën e Vatikanit gjatë Meshës së Bagmit, që i parapriu Triditëshit të Pashkëve. Gjatë ritit, 1600 meshtarë të dioqezës së Romës përsëritën premtimet meshtarake. Më pas u bekuan vajrat për kremtimin e sakramenteve: vaji i katekumenëve, vaji i të sëmurëve dhe Bagmi Shenjt.
Gjatë homelisë, Papa u përqendrua tek figura e meshtarit. Kujtoi se meshtari është i thirrur të jetë vigjilent, të jetojë vazhdimisht me sytë drejtuar nga Zoti, që bota të mos e harrojë Hyjin:
“Meshtari duhet të jetë vigjilent. Duhet t’i hapë mirë sytë, përballë fuqive kërcënuese të së keqes. Duhet ta mbajë botën zgjuar për Hyjin. Duhet të jetë gjithnjë drejt në këmbë: drejt përballë rrymave të kohës. Drejt përballë së vërtetës. Drejt në përpjekjen për të mirën. Qëndrimi para Krishtit duhet të jetë gjithnjë përpjekje për të mbartur mbi vete peshën e njerëzve para Atij, i cili na mbart ne të gjithëve para Atit. E mbi gjithçka, meshtari duhet të jetë mbartës i Krishtit, i fjalës së Tij, i së vërtetës së Tij, i dashurisë së Tij”.
Meshtari – nënvizoi Papa – duhet të jetë njeri i drejtë, sypatrembur, i gatshëm për të duruar edhe fyerje për hatër të Zotit. Duhet, pastaj, të shërbejë, duke i përngjarë Krishtit, që e dhuroi vetveten deri në fund të fundit për njerëzit.
Benedikti XVI i nxit meshtarët të mësojnë pa u lodhur kurrë: të mësojnë të luten gjithnjë më thellë, të mësojnë ta njohin Zotin në Fjalën e Tij, që kumtimi të jetë i frytshëm.
Ati i Shenjtë kujtoi, pastaj, përmasën themelore të bindjes. Shërbëtori duhet të bindet, t’i nënshtrohet fjalës: “Mos u bëftë vullneti im, por vullneti yt”. Me këtë fjalë Jezusi, në Kopshtin e ullinjve, fitoi betejën përfundimtare kundër mëkatit, kundër rebelimit të zemrës së rënë në mëkat:
“Adami mëkatoi pikërisht sepse donte të realizonte vullnetin e tij e jo atë të Hyjit. Njerëzimi tundohet gjithnjë të jetë krejtësisht i pavarur, t’i nënshtrohet veç vullnetit të vet e të mendojë se vetëm kështu mund të jetë i lirë; se vetëm falë një lirie të tillë pa cak, njeriu mund të jetë plotësisht njeri, e mund të bëhet hyjnor. Po pikërisht kështu i kundërvihemi së vërtetës”.
Jemi të lirë vetëm nëse e jetojmë këtë liri me të tjerët, duke bërë vullnetin e Zotit. Çdo njeri duhet t’i nënshtrohet vullnetit të Zotit, aq më tepër meshtari – vijoi Benedikti XVI – dhe u kujtoi sivëllezërve në meshtari:
“Ne nuk kumtojmë vetveten, por Atë, Fjalën e Tij, të cilën nuk mund ta sajojmë. Nuk e shpikim Kishën, ashtu si do të dëshironim të ishte; Fjalën e Krishtit e kumtojmë në mënyrë të drejtë vetëm në bashkim me Korpin e tij. Të bindesh, për ne do të thotë të besosh me Kishën, të mendosh, të flasësh me Kishën, t’i shërbesh Kishës. Në këtë bindje përfshihet edhe paralajmërimi që i bëri Jezusi Pjetrit: “Do të të çojnë atje, ku nuk deshe të shkosh”. Të shkosh ku nuk dëshiron është përmasë themelore e shërbimit tonë; është pikërisht kjo që na bën të lirë e, ndonëse mund të jetë në kundërshtim me planet tona, na dhuron pasurinë e dashurisë së Hyjit”.
Së fundi, Benedikti XVI foli për gjestin e larjes së këmbëve, me të cilin Krishti, Meshtar i vërtetë i botës, pohon se dëshiron të bëhet shërbëtor i të gjithëve:
“Me gjestin e dashurisë deri në fund, Ai lan këmbët tona të ndyra, me përvujtërinë e shërbimit, na pastron nga sëmundja e mendjemadhësisë. Kështu na bën të aftë të ulemi në sofrën e Hyjit. Ai zbriti, e ngjitja e vërtetë e njeriut realizohet tani në zbritjen tonë me të e drejt Tij. Lartimi i tij është kryqi. Është zbritja më e thellë e, si dashuri deri në fund të fundit, është njëkohësisht edhe kulmi i ngjitjes, lartimi i vërtetë i njeriut”.







All the contents on this site are copyrighted ©.