2008-03-20 19:27:53

Me Meshën in Coena Domini në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, Papa hapi ritet e Triditëshit të Pashkëve.


(20.03.2008 RV)RealAudioMP3 Sot pasdite, duke nisur nga ora 17. 30, Papa kremtoi në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran Meshën ‘in Coena Domini’ - kremtim i Darkës së Mbrame të Zotit, kur Jezusi i dhuron Kishës në fasha ‘ilaçin e pavdekësisë”, Eukaristinë. Gjatë ritit, Benedikti XVI, duke përsëritur gjestin e Jezusit, u lau këmbët 12 meshtarëve të dioqezës së Romës.
Ati i Shenjtë e nisi homelinë me komentin e faqes ungjillore të Shën Gjonit, në të cilën Apostulli, me një gjuhë shumë solemne, tregon sesi Jezusi ua lau këmbët nxënësve të vet.Është një akt sa profetik, aq edhe simbolik:
“Me këtë gjest konkret, Jezusi vë në dukje pikërisht atë që himni i madh kristologjik, Letra drejtuar Filipianëve, e përshkruan si misterin e Krishtit. Jezusi zhvesh rrobat e lumnisë së vet, ngjesh ‘leckën’ njerëzore e bëhet skllav. Ua lan këmbët e ndyra dishepujve, duke i bërë të aftë të hyjnë në gostinë hyjnore në të cilën i fton”.
Në vend të pastrimeve të jashtme të kultit, që e lajnë njeriun ritualisht, duke e lënë ashtu siç ishte, Jezusi na bën të pastërt me fjalën e tij e me dashurinë e tij, me dhurimin e plotë të vetvetes. E vijon të na lajë me fjalën e tij. Në se e pranojmë këtë fjalë me meditim, lutje e fe, ajo ngjall në shpirtin tonë forcën pastruese. Ditë për ditë na duket se na mbulon ndyrësia shumëformëshe, na mbulojnë fjalët boshe, paragjykimet, dija e kufizuar dhe e tjetërsuar, falsiteti. Gjithë kjo ndyrësi e pushton shpirtin tonë e na krijon rrezikun të bëhemi të paaftë për të njohur të vërtetën e për të bërë të mirën.
Në se i pranojmë fjalët e Jezusit me zemër të hapur, do ta ndjejmë se janë larje e vërtetë, pastrim i vërtetë i shpirtit.
“Ta lemë, pra veten, të lahemi me këtë ujë të pastër, që na bën të denjë për t’u ulur, së bashku me vëllezërit, në gostinë e madhe të Hyjit”.
Këtë ftesë u drejtoi Papa të krishterëve e më pas shpjegoi simbolikën e gjestit të Krishtit, duke theksuar dy aspekte të ndryshme: dhuratën e pastërtisë dhe detyrën e besimtarit për ta parë si model, për ta bërë këtë dhuratë të vetën, sepse gjesti i Zotit është: sacramentum ed exemplum: sakrament e shembull, duke pasur parasysh se fjala sakrament këtu ka kuptimin e vetë Misterit të Krishtit në tërësinë e tij, nga mishërimi e deri në kryq e në ngjallje. Kjo tërësi – vijoi të shpjegonte Papa - bëhet forcë shëruese, shenjtëruese, shndërruese: na bën të fillojmë një jetë të re. Gjithsesi ne nuk mbetemi pasivë, nësa e marrin këtë dhuratë hyjnore: Zoti e shikon secilin nga ne si partner personal e të gjallë. Dashuria e dhuruar është dinamika e ‘të dashurit së bashku’, është jetë e re, duke u nisur nga Hyji. Jezusi u thotë dishepujve të vet e të gjithë neve: “Po ju jap një urdhër të ri: Duajeni njëri-tjetrin! Sikurse unë ju desha ju, duajeni edhe ju njëri-tjetrin”(Gjn. 13, 34). Urdhëri i ri nuk është normë e re dhe e vështirë, që deri atëherë nuk ekzistonte: është urdhër për të dashur së bashku me Atë, që na deshi i pari.Papa komentoi edhe bisedën e Jezusit me Pjetrin, i cili nuk deshi ta linte
Jezusin t’ia lante këmbët, sepse kjo i binte ndesh konceptit të tij për madhështinë hyjnore:
“Duhej të kuptonte përsëri e përsëri se madhështia hyjnore ndryshon nga ideja jonë për madhështinë. Madhështia hyjnore është përvujtëria e shërbimit, dashuria deri në zhveshjen e plotë të vetvetes”.
Edhe ne, si Shën Pjetri - nënvizoi Papa – duhet ta kuptojmë këtë, duke rifilluar gjithnjë nga e para, sepse vazhdimisht dëshirojmë zotin e suksesit e jo atë të Mundimeve e sepse nuk jemi në gjendje ta kuptojmë se Bariu vjen si Qengj që dhurohet e kështu na prin drejt kullotave të blerta:
“Në se themi që jemi pa mëkat, gënjejmë veten e nuk arrijmë kurrë ta njohim të Vërtetën. Në se i pranojmë gabimet tona, Ai që është besnik, do të na i falë fajet e do të na pastrojë nga çdo mëkat”.







All the contents on this site are copyrighted ©.